Nga: Aleksandër Ndoja
Estela Ruka është e mirnjohur si artiste tepër e angazhuar gjatë viteve 80-90-të në Pallatin e Kulturës, në Rrëshen. E ka filluar aktivitetin e saj në moshën 7 vjeçe, kur siç e kujton, ka qenë muzikanti i mirënjohur Zef Tusha që i ka besuar këngën “Një lule të bardhë këputa në lulishte”. Soliste në koreografi, prezantuese, këngëtare, aktore dhe e kudogjendur deri në kohën kur biografia do t’i kushtonte jo pak. Ceni në biografi ku dy gjyëshërit i kishte të dënuar rëndë, bënë që nga kultura të përfundonte në një kurs të thjeshtë për “bulmet” pra për prodhimin e djathit dhe gjalpit. E ndërsa talenti sfidon biografinë për pak kohë, përsëri zhgënimet do të shoqërojnë artisten premtuese….për të përfunduar larg artit, në fushën e mjekësisë. Por edhe se kanë kaluar shumë vite, përsëri “geni’ lëviz dhe sot doktoresha e stomatologjisë vjen me një libër me poezi të titulluar: “Poezi në Laminor”.
E me këtë rast, koreografja poete dhe mjeke vjen me një intervistë të detajuar për pirustinews.al, mbi jetën e saj, origjinën, talentin, zhgënjimet dhe arritjet.
– Znj. Estela, si fillim ju lutem një përshkrim të shkurtër, nga erdhët dhe si u vendosët më banim për 20 vite në Mirditë?
Babai im erdhi në Rrëshen në vitin 1971, i transferuar nga ferma e Sukthit në Durrës, me motivacionin e ndihmës në rrethet e veriut në zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Ai punoi si agronom në disa kooperativa në Mirditë si në Velë, Munaz, Rrethi Epër, Blinisht etj. Pra kjo ishte puna e tij për 20 vite me rradhë në Mirditë.
Siç dihet ne jemi me origjinë nga Vlora, por të vendosur prej shumë kohësh në Fier. Pra babai im Adem Ruka ka lindur në Fier dhe pasi ka dalë agronom ka punuar në Lushnjë, Fier, pastaj në Sukth, për të përfunduar në Mirditë.
- Kujtoj se babai juaj ka qënë njohës i mirë i skenës, madje në shumë aktivitete rrinte pas kuintave në ndihmë të aktiviteteve. Ç’far e lidhte një agronom me një artist?
Babai im nuk ishte rastësisht në skenë, ndërsa rastësisht ishte në agronomi. Ai në Rrëshen asistonte regjitë në teatër, madje ka vendosur në skenë një teatër, “Mulliri i Kosta Bardhit”, ku vetë luante rolin kryesor. Në vitet 60-të ai kishte konkuruar me një rregjizore ruse dhe kishte fituar konkursin, por gjyshi që ishte në burg politik i tha, më mirë bëhu agronom. Gjyshi i thoshte të punonte ku kishte nevojë atdheu, se po të bëhej artist do përfundonte në burg. Ishte shok me Vaçe Zelën e cila i thoshte se këndonte si Adriano Çelentano. Më herët kishte qenë shumë i angazhuar me teatrin e Fierit, madje pati përzgjedhur dhe Luftar Pajon si aktor. Vetë aktori Luftar Pajo u shpreh në 60 vjetorin e babit, se ishte Adem Ruka që e kishte përzgjedhur nga klasa punëtore, dhe karrierën e tij ja dedikoj Adem Rukës. Pra ai vazhdoi fakultetin me korespondencë për agronom, pasi edhe lufta e klasave ishte mjaft e ashpër sidomos në vitet 70-të. Por dhe stërgjyshi im Qazim Adem Ruka ishte bilbili i Labërisë. Bënte vetë këngët dhe i këndonte, madje deri vonë njerzit përdornin shprehjen: “merrja një herë këngës Qazim Ademçe”.
- Ti si vajza e madhe e tij, kur erdhe në Rrëshen dhe nga erdhe këtu?
Në këto kushte edhe unë si pjestarët e tjerë të familjes erdha pas prindërve të mij, kur isha 6 vjeçe. Unë në Rrëshen erdha pas viteve që më kishte mbajtur dhe kujdesuar për mua, gjyshja ime në Berat. Mbaj mend se gjatë qëndrimit me gjyshen mua më pëlqente të shikoja Rafaela Kara, dhe fshehurazi kerceja në një kënd të dhomës, duke imituar atë. Por edhe vetë gjyshja ime Zoica Papalilo dinte italisht. Pra që në moshë krejt të vogël tek unë u injektuan shenjat e para në muzike, ndoshta sepse gjyshja ime i binte mandolines dhe une e degjoja me endje. Kur erdha në Rrëshen gjatë shkollës fillore, mësuesit e mij identifikuan te unë talentin që kisha në muzikë. Mësuesja ime kujdestare Saide Papadhopulli kishte një zë të ngrohtë, dhe na edukoi me dashurinë për muzikën dhe letërsinë. Ishte një grua e rrallë gjirokastrite që na mësonte me pasion dhe dashuri deri edhe te punimet me dorë, në të cilat ajo ishte artiste.
- Kur u ngjitët për herë të parë në skenë?
Për herë të parë në skenë u ngjita në skenën e qytetit tonë Rrëshenit, në moshën 7 vjeçe me një kompozim të mjeshtrit Zef Tusha, të titulluar “Një lule të bardhe këputa në lulishte”, këngë të cilën e mbaj mend edhe sot. Më pas vijuan festivalet e pionierit në rradhë, ku në të gjitha koncertet isha pjesmarrëse. Ndërkohë në atë kohë në Rrëshen fuksiononte rrethi i pianos të cilin e frekuentoja me kënaqësi dhe interes me mësues Gojart Daia, ndërsa më vonë, në 8-vjeçare kisha mësues muzike të paharruarin Ndue Dona, një nga themeluesit e ansamblit “Mirdita” sot (Mjeshtër i Madh) sëbashku me Simon Papadhopullin fizarmoniçistin e talentuar nga Gjirokastra. Por nuk mbeta vetëm me pianon, pasi u përfshiva në teatrin e kukullave dhe në kurse pikture, me profesor Lin Locin. Kujtoj se isha përfshirë në pallatin e Kulturës, dhe qëndroja aty po aq sa në shtëpi.
- Nëse tashmë ishit në fund të klasës së tetë me gjithë këtë angazhim artistik që kur ishte 6 vjeçe, si e parashikoje ecurinë e mëtejshme?
Ishte fat për ne, që në fund të klasës së tetë erdhi në Rrëshen kompozitori, artisti i shquar Dorian Nini. Kisha fat që ai punoi shumë me mua, pasi kisha dëshirë të konkuroja për flaut. Në biseda të lira me babain, Doriani i thoshte se nëse Stela do bëhet muzikante, do jetë shumë virtuoze pasi ka vesh absolut.
I nxitur nga ai, kërkova të konkuroj për në Liceun artistik. Aty mora pergjigje se nuk mund te konkuroja, pasi nuk permbushja kriterin “biografik”. Unë ne fakt vija nga dy gjyshër njeri i dënuar 20 vite në burgun e Burrelit, nga babai dhe tjetri i arratisur ne vitin 44-tër Papalilo nga mamaja. Kështu që për atë kohë kjo ishte e vërteta dhe biografia ime, pavarësisht se unë isha fëmijë. Megjithatë unë ruaj kujtime shumë të bukura në Mirditë, me shoqërine e me njerzit që na donin.
– Duke qenë se kishit një “barrierë” të tillë, cila ishte ecuria jote më tej?
Mësuese Marie Biba në atë kohë i thotë mamit me dashamiresi, jepi Stelës një shkollë profesionale, pasi isha në diskutim, se mund të mos shkoja në shkollë të lartë. Ndaj jepi zanatë që të mos punojë në fermë pra në bujqësi, pas gjimnazit. Nuk na mbeti rrugë tjetër, ndërsa mua më vinte vërtetë çudi në atë kohë, por dhe u vrava shpirtërisht nga kjo kthesë që duhet te merrja në jetë. Sapo përfundova klasën e 8-të, shkova ne nje shkollë dy vjeçare për bulmet dhe pasi e mbarova atë, fillova punë në Ndërmarrjen e Grumbullimit.
- Pra, u duk se Pallati i Kulturës do të shmangej përfundimisht, pasi Ndërmarrja e Grumbullimit kishte tjetër profil?
Jo, ku duket më keq ka edhe një dritë në fund të tunelit. Pikërisht sapo fillova punë në Grumbullim, atë vit i u bë Festivali i Klasës Punëtore, siç quhej. U zgjodha të isha përfaqësuese e kësaj ndërmarrje në këtë festival. Një koregrafe Vitore nga Tirana, më tha të isha soliste vallesh, pasi mund të shkoja në kurse në Tiranë për të përgatitur klasën punëtore, për më vonë. Dhe këshu ndodhi në të vërtetë. Në vitin 1982 nisa kursin 1-vjeçar për koreografi. Theksoj se në këtë vit u hap për herë të parë koreografia si degë pranë arteve në Tiranë.
- Pra a ishte ky shansi, që një artiste të mos kthehej më në një ndërmarrje që kishte tjetër drejtim me atë të kulturës?
Po, besoj se kjo ishte shtysa për të mbetur në fushën time, në kulturë. Aty në kursin e koreografisë u njoha dhe bashkepunova me Angjelina Lekaj, një koreografe e mirnjohur që i ka dhënë Mirditës perla të padiskutueshme në kulturën koreografike. Profesorët e mij ishin Agron Aliaj dhe Ramazan Bogdani. Pas këtij kursi kthehem në Rrëshen si soliste e valleve, e për pasojë u emërova mësuese në shtëpinë e pionierit, dhe sigurisht vazhdoja gjimnazin pa shkeputje nga puna. Koncertet e mevonshme ishin te shumta. Isha prezantuese e shumë programeve, por edhe pjesmarrëse në festivalin folklorik të Gjirokastrës, në vitin 1983.
- Po sikur u “fashit” kriteri biografik?
Në fakt këtu mora pjesë me ndërhyrjen direkt të Tonin Satës, funksionar i lartë në Komitetin e Partisë, pasi vajzën e tij Laura Satën e kisha shumë mike, dhe mi njihte aftësitë në këtë fushë. Kujtoj se në fund ishte koncerti përpara udhëheqësit në të lartë komunist të kohës, Ramiz Alisë. Di që u diskutua pafund emri im, por si përfundim me këmbënguljen e Angelina Lekës, koreografes së shtëpisë së kulturës, unë kërceva solon.
– Ndërkohë që vazhdoje gjimnazin dhe merrej me art, cila ishte ecuaria e mëtejme, pas përfundimit të gjimnazit?
Në kohën kur përfundova dhe gjimnazin pregatitem për konkurim ne Institutin e Lartë të Arteve. Punova 3 vjet me regjizorin Viktor Stratoberdha i cili sapo kishte dalë nga burgu, megjithëse kishte mbaruar në Rusi dhe ishte regjizori i filmit për Skenderbeun. Por duroja dhe prisja me qetësi refuzimet e herëpasherëshme deri kur u binda se nuk do të ma jepnin ketë të drejte, madje aty mora vendimin të heq dorë nga arti. Madje në kete kohë refuzova edhe ftesën e Gjok Becit, për të shkuar ne Zvicër, në një koncert me ansamblin “Mirdita” Në këto kushte në vitin 1990 unë kthehem përfundimisht në Tiranë, dhe pas ndryshimeve demokratike në vitin 1992, fitova të drejtën të vazhdoj universitetin ku zgjodha degën e mjekësi-stomatologjisë.
- Kjo duket vulosi përfundimisht ndarjen nga kultura për të përfunduar në mjekësi?
Nuk është krejt e saktë kjo. Letërsia më ka pëlqyer shumë, dhe kohët e fundit shkruaj poezi. Tashmë kam botuar një libër me poezi, libër i cili sëshpejti do të vijë edhe në Mirditë. Kjo sepse gjithmonë ruaj një lidhje me Mirditën ku erdha 6 vjeçe dhe ika 22 vjeçe. Me komshinjtë kemi kaluar gjithmonë shumë mire, dhe na donin e respektonin shumë. Mirditorët janë një popull arsimdashës dhe njerëz të thjeshtë e shumë të dashur.
Gjithmonë më bënte përshtypje që mirditoret besonin në një ZOT ashtu siç mua ma kish edukuar gjyshja ime, e bija e priftit At Vangjel Zilexhiut, e cila më lexonte Danten që në fëmijeri. Kam kujtime të pa harruara me gjithë pjesëmarrësit e Ansamblit Mirdita, të cilët ishin si një familje e madhe për mua.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

