Botuar në revistën “Mirdita” nr. 25, organ periodik i Akademisë së Artit, Kulturës e Letrave “MIRDITA”
Mund të na ndodhë mrekullia e zezë: Guri Nus ta shterrë gurrën! Gurra është shtrirë aty në gjirin e Gurit mijëra vjet, por tani mund të tërhiqet andej nga vinte.
Ky mund të jetë zemërimi i fundit i Gurit Nus. Kushedi sa e ka zemëruar njeriu Gurin Nus.
Para tre- katër vjetësh, Guri u pre në besë. U zgjua një mëngjes dhe nuk e dëgjoi gurrën në lugje, as lugjet nuk ishin. Thyerja e besës në Mirditë është dënuar si nga njeriu, edhe nga mali, edhe nga Zoti… Shekull pas shekulli, gurra dha ujë për njeriun dhe ashtu e plotësonte edhe më shumë kuptimin e mbiemrit Nus. Në Gjirin e Nus, si në gjirin e nënës së re, vinin e pinin jetimë të kohës: Udhëtarë të mbetur rrugëve, banditë, heronj, nuse, lypsarë, fëmijë, lopë, zogj, gjarpërinj dhe qengja…, të gjithë gjallesa të zotit.
Kujt i iku mendja që erdhi e rrëmbeu Gurrën, vallë?! Ata erdhën me arrogancë dhe i bënë karshillëk Gurit, fillimisht shtruan tuba plastike, tretën lugjet, dhunuan natyrën e Gurit, ndërtuan një muranë të stilit revolucionar dhe ngjitën dy currila ujë mbi një metër nga toka… Siç na ka ndodhur në luftën e pandershme të njeriut me Natyrën gjithë këto vite… Tani Guri është në panatyrë: Si do t’i ushqejë lopët?, po qengjat?, po kalimtarët burra dhe gra!?. Stili ‘revolucionar’: ‘Pi një gllënjkë ujë e shko ik!’… Ne pimë ujë si ‘ushtarë’ dhe ikëm…
Deri më sot Guri ka krijuar shkulme zemërimi,por i ka mbajtur përbrenda. Zemërimin e ka dëshmuar duke u larguar nga njerëzit. Në Shëngjin, fshatin që e ka krijuar vetë dhe që fle e zgjohet në gji të Gurit, ka lëshuar si gjinj 40 kroje dhe 9 gurra, gjinj jo si Ulkonjës jo për të ushqyer dy vëllezërit e Romës, por për të rritur djemtë e Shëngjinit. 40 kroje dhe 9 gurrae bëjnë Shëngjinin fshatin si një nga më të famshëm në botë. Këtu ka lindur e rritur edhe nëna ime. Guri i ka përkëdhelur njerëzit e vet, por edhe i ka mbajtur larg: ‘pini ujë e rrini atje poshtë!’. Nëna ime iku prej këtej me kokën prapa gjithë jetën. Varret e fshatarëve të vet, Guri i shtyu poshtë, buzë lumit të Fanit, në Kishën e Shën Markut, për t’i veçuar nga mëkatarët e gjallë…
Kur njeriu e ndjeu se Guri mbi Fanë nuk e zbuti kurrë fytyrën, atëherë e përkëdheli dhe i vuri mbiemrin ledhatues Nus, siç ndodh në marrëdhëniet e Njeriut me Frikën. Në fakt, këndej nga jugu, shkëmbi ka bërë një portret si grua e re; por një grua e ngrirë.Këndej vjen emri ‘Nus’ i Gurit. Ndërsa Pjetri, si piktor, m’i përshkruante me zell linjat e gruas ‘nuse’;ndërsa mua duke vështruar monumentin e gruas që ka gdhendur vetë Guri, më vjen në sy më shumë profili i nënës sime e zemëruar me mua.(Ashtu e ngrirë, e rrëgjuar, si një Nënë Terezë). Më shumë më vjen në përfytyrim nëna ime se sa një nuse anonime në fytyrën e Gurit Nus. Njeriu qenka i çuditshëm: Edhe bjeshkën, edhe gurrën, edhe erën i gjen te njeriu më i afërt…
Guri ka fytyrë njerëzore dhe merret vesh me njerëzit sipas stoicizmit të vet.
Guri Nus nuk i lejon njerëzit që ta shkelin. As alpinistët nuk i mban tek ngjiten nëpër shtatin e tij të ngrirë e të kthyer në‘Nuse’. Nuk ka hero në botë që e pushton ballë përballë Gurin Nus. Me sa duket, stuhitë njerëzore që u përplasen te Guri i dhanë të drejtën që të marrë pamje të ashpër. Sot e kësaj dite, gjithë jetën sa merr frymë Guri mbi Shëngjin, nuk ka pranuar që njeriu të vendosë as kryqin e shenjtë mbi shpatullën e tij. Kryqi do të ishte shenja e njeriut që i kërkon falje, por Guri Nus nuk fal kurrë më. Sa herë kanë provuar burrat e fortë, të krishterë te urtë të Fanit, por kurrë nuk kanë mundur ta ngrenë kryqin. Era e fortë e pashoqe e Gurit Nus është krijuar nga Zoti- aleat i Gurit- veç që të mos e lejojë njeriun ta kryqëzojë Gurin, për egon e vet. Njeriu- për egon e vet! Një pjesë kryqi duket sot mbi Nus, që nga larg, por ka mbetur përdhè veç si një shenjë e dëshirës së vdekur të njeriut të gjallë… Asgjë më shumë, gjithçka tjetër e përpin era e Aleatit Zot.
Njerëzit i kanë bërë atë që nuk mund t’i bëhet kurrë një strehe të shenjtë, siç ka qenë në histori Guri mbi Shëngjin. Dëshmitë kanë mbetur në ‘fushën e betejës’ rreth Gurit, që nga Xhuxha, Zall- Xhuxha, Gjakza, në Konaj, Thirrë, Bisak e Domgjon: A janë trofe të Gurit Nus apo mburoja të thyera të Njeriut?!… Kësaj kush i përgjigjet?!
Atje përballë struket si e shkretë Kodra e Xhuxhës. Që nga epoka kur aty banonin njerëz, aq të përparuar sa kudo në krishterim, që atëherë aty nuk lind e rritet as fija e barit. Ka një elegji për ‘migrimin’e atyre njerëzve që ikën dhe e shkretuan ‘qytezën’, por vargjet që mallkojnë largimin dikush i thotë në një trajtë e dikush në një trajtë tjetër. Disa njerëz të mirë dhe entuziastë nga Xhuxha, u gëzuan sivjet pse gjetën një gur me shkronja të gdhendura herët.Shkronjat strukeshin në shekuj, nën një stom, tamam si një histori e varrosur për së gjalli. Megjithatë njerëzit e mirë dhe entuziastë të Xhuxhës nuk arritën ta lidhin shkrimin e lashtë me qytetërimin e vet,as me dashurinë dhe zemërimin rreth Gurit Nus… Të gjitha janë të lidhura bashkë.
Aty është një copë tokë që e ka emrin ‘Qytezë’. E si të mos ketë Qyteza dëshmi qytetëse me gurë me shkronja!? Këtu ka Domgjon, këtu ka Shemëri, këtu ka Shën Mark, Shëngjin, Sang, Xhuxhë… Pjesën më të madhe të emrave i ka ruajtur nga gjuha latine, emrat i mirëmbajti gjuha shqipe dhe linja tjetër- anglo- saksone, në këtë rruzull. Ku ka Qytet (ezë) aty ka edhe shkronja, edhe bibliotekë!
Vetë Guri ka një qytet brenda kurmit të tij, një qytet me arkitekturë të kompletuar. Por njeriun nuk e lejon as ta shohë, as ta prekë qytetin e përbrendshëm. A e dini se në brezin e lëmuar të Gurit vijëzojnë rrugë, rrugë të gjëra ku mund të kalojnë divizione ushtarake; por guri njeriun e tanishëm e mban larg…
A e dini se ajo lëvizje në rresht ushtarak në rrugën qytetëse të Gurit dëshmon se rojet ruajnë një qytet përbrenda?!
E si vallë do të kishim në Shëngjin atë copë toke me emrin ‘Qytezë’, nëse Guri nuk do të kishte arkitekturën e qytetit amë. Në Qytezë, në anë të një gurre është rritur nëna ime.
A e dini se në prehrin e Gurit Nus, aty ku nëna mban krijesën, mu në prehrin e Gurit janë dëgjuar kambanë kishash?! Kambanë që binin këtu e dëgjoheshin deri në Adriatik. Edhe nëse brenda ‘barkut’të Gurit nuk ka kisha, kambanat që nga Vatikani vinin e jehonin në gjirin e Gurit…Janë dëgjuar, pra; ka njerëz që jetuan deri në këtë shekull dhe i kanë dëgjuar. Njerëzit e bekuar kanë pasur lejen që të venë veshin e të dëgjojnë kambanat. Ndërsa tani nuk mund të ndodhë që Guri të besojë dhe të lëshojë bekim për njeriun.
Guri është i zemëruar.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

