-Po ndërhyjmë për lidhjen me UÇK-në!
Ishte kjo fjalia me të cilën në të shumtën e rasteve ndërhynte në transmetimet live të edicionit qendror informativ në Kukës TV, tekniku i pultit, Bledar Dokle. E kisha tepër të qartë rëndësinë e asaj strukture në Pashtrik, por asgjë nuk ia veniste madhështinë që identifikohej me UÇK-në.
Marrja e informacionit në mënyrë direkte nga lidhjet telefonike ishte shumë e rëndësishme për ne të gjithë, por kryesisht për Kukës Tv, i cili ishte bërë një domosdoshmëri në ato kohë me njoftimet që transmetonte, qëllimi i të cilave ishte informimi i familjarëve, prezantimi i situatës reale në kufirin Kosovë-Shqipëri, apo edhe për pasqyrimin e situates së luftës në Kosovë.
Komunikimi ishte konciz, jo vetëm për faktin se ishte edicion informativ, por edhe për faktin se realizohej nga njerëz profesionistë të komunikimit. Precizioni në përcjellje të informacionit, profesionalizmi dhe përkushtimi, përmblidheshin në pak sekonda informacion.
Ishte komunikim që të impononte respekt! Ishin ditët e luftës, kur çdo gjë që na rrethonte kishte të bënte me luftën, por kur mësonim për përparimet e UÇK-së, gjithë popullit, e në veçanti të dëbuarve, u bëhej zemra mal. Këtë afeksioni ua afronte Kukës TV, ne gazetarët, pa lënë anash as kontributin e atyre, të cilët bashkëpunonin me ne.
Tek nxitoja të arkivoja dokumentacionin mbi edicionin informativ të radhës, degjova të ndjerin Izet Mata, i cili tha:
-Erdhi Nexhat Çoçaj!
Ktheva kohën menjëherë dhe në mes të grupit dallova Nexhatin. E dallova se ishte i vetmi portret i ri për mua në atë moment, por çuditërisht nuk më kujtohet fare me cilët njerëz shoqërohej në atë moment (edhe pse ishin të gjithë të njohur, bashkëqytetarët e mi)
Nxitova të nënshkruaja proces-verbalin e dorëzimit të dokumenteve dhe në ikje nga ambientet e Kukës TV, pikerisht aty ku do të merrja shkallët për të zbritur, shkëputa Nexhatin dhe u prezantova thjeshtë:
-Jam Vera Istrefaj. Nuk mund të largohesha pa ju shprehur vlerësim e mirënjohje për gjithë çfarë po bëni!
Nexhati hodhi një vështrim drejt grupit të shoqëruesve të tij dhe tek kthehej nga unë vizatoi një buzëqeshje fisnike në portretin e tij. Plot modesti më falënderoi për bashkëpunimin dhe më përcolli me një dorëhedhje të lehtë mbi sup, shoqeruar me bekime për të gjithë.
Ishte Nexhati i thjeshtë në dukje, por misionar në veprimtarinë e tij si gazetar dhe si humanist, i cili po angazhohej për bashkimin e familjeve të ndara gjatë kalimit të pikës kufitare në Qafë Prush e që ishin vendosur në Krumë.
Me sa mbaj mend në Krumë, në kohë të luftës, ishte ngritur një zyrë informacioni, e cila merrej edhe me ndihmën për të dëbuarit. Me dhjetëra herë, apo më mirë të themi gati për çdo ditë, nga ajo zyrë kemi marrë listat e të dëbuarve, që kërkonin të bashkoheshin me familjet e tyre, me të cilat ishin ndarë. Edhe ky ishte kontribut i Nexhatit, i cili e udhëhiqte atë zyrë në Krumë. Prandaj, për mua dhe për pjesën më të madhe të gazetarëve të kohës, zyra e informacionit në Krumë, gjatë kohës së luftës, ishte një burim informacioni shumë i rëndësishëm dhe burim shprese për të dëbuarit, të cilet ishin vendosur në Krumë dhe në përgjithësi në Has.
Kjo ishte ajo çfarë sundonte të gjitha mendimet e perceptimet e mia mbi figurën dhe kontributin e tij. Pas luftës, jemi takuar shpesh me Nexhatin, herë kemi komunikuar e herë jo, varësisht nga situatat, por kjo absolutisht nuk e ka zbehur atë çfarë Nexhati ka gdhendur në perceptimin tim në ato kohë të vështira, kur punoja në Kukes TV dhe përcillja informacione, kryesisht mbi luftën në Kosovë.
Falë disa veprimtarive të mia shoqërore dhe artistike, jemi takuar në disa rrethana. Nexhatin e kam takuar nën cilësinë e tij si funksionar i Qeverisë së Kosovës apo si organizator i shumë eventeve kulturore në Kosovë, kryesisht me njerëz të letrave.
Kemi patur rastin të jemi bashkëbisedues në debate konstruktive mbi rolin e UÇK-së brenda dhe jashtë Kosovës, mbi veprimtaritë e diaspores që lidhen me UÇK-në etj.
Komunikimet konstruktive të Nexhatit gjithmonë janë bazuar mbi fakte e argumente, mbi dokumente e ngjarje reale, por pa e humbur asnjëherë ngjyrimin e mirëkuptimit, respektit reciprok, opinionit profesional dhe mbështetjes mbi të vërtetën.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur vetë ai ishte pjesë e asaj të vërtete të trishtë e të ndritshme njëherësh për kombin shqiptar.
E vërteta është si puna e gurit të çmuar: sado që të hedhësh pluhur mbi të, aspak nuk i humbet vlera. Me kalimin e kohës, vetëm sa i shtohet vlerësimi.
Kështu ndodh edhe me njerëzit e të vërtetës, kontribuesit realë të kësaj të vërtete, siç është Nexhat Çoçaj.
Sido të vijnë situatat, lufta në Kosovë, UÇK dhe Nexhat Çoçaj me raportimet e tij, mbetën së bashku në shënimet e historisë.
Është koha ajo që definon vlerën për gjithçka tjetër.
Ne të tjerëve na takon vetëm respekti e mirënjohja për kontributin e njerëzve si Nexhat Çoçaj.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

