Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Luani i tuneleve, njeriu i digave, Heroi i Punës (i pashpallur), nga lagjia “Brahimlikaj” e Laçit të Matit.

Nga Pirusti News
1 041 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Viktor P. Përshqefa, Nënkolonel në rezervë; Tiranë, Prill 2020.

Dali Asllan LIKA, (BRAHIMLIKAJ) i njohur edhe si Dali Llani lindi në lagjen “Brahimlikaj” të fshatit Laç të Matit, në një familje me tradita të njohura patriotike. Fshati Laç ndodhet në veri të luginës së Matit dhe kufizohet; në veri e veriperendim me fshatin Perlat të Mirditës, në jug me fshatin Bruç, në lindje me fshatin Lufaj të Selitës (Mirditë) dhe në perendim me fshatin Urakë, ndwrsa ndodhet rreth 150-200 metra mbi nivelin e detit. Emri i tij del në defterin Osman të vitit 1467 (përkthyer nga S.Pulaha) dhe sipas tij Laçi është pjesë e vilajetit të Urakës. Sipas këtij defteri Laçi kishte 14 shtëpi me këto mbiemra: Shtifir Mlika, Patër Bardhi, Gjeç Kipota, Gjin Bardhi, Dhimitër Gjika, Gjoni i biri i Dhimitër Gjikës, Gjon Bruzhi, Martin Bruçi, Lik Miljoti, Gjon Kipota, Andrea Shpani, Shtifiri i biri i Gjeçit, Lika i biri i Shtifirit, Kali vëllai i Shtifirit.

Laçi ishte myslimanizuar në masën 80 % deri në vitin 1700. Pas vitit 1920 fshati Laç është me Prellin dhe më vonë në N/prefekturën Mat. Pas 1944-s ishte në lokalitetin e Urakës, më pas në atë të Derjanit dhe pastaj në ish fshatin e bashkuar Laç-Rremull dhe ish koperativën bujqësore me të njëtin emër. Pas vitin 1992 në ish komunën Rukaj ndërsa nga 2015 është fshat në Njësinë Administrative Rukaj pjesë përbërëse e bashkisë Mat. Sot përbëhet nga lagjet Kllumth, Kodër Laç e Brahimlikaj. Fiset e njohura të Laçit (edhe Bruçit) në ditët tona janë; Cenmurataj, Osmanaj, Fetiaj, Brahimlikaj, Klosi, Hasramaj, Mllugja, Ramsaliu, Cara, Hysaj, Koxhaj, Këputa, Xhekaliu, Lekaj, Leci, Hema, Mardedaj, Xhokola, shtëpi të Nezirit (Bruç) dhe i fundit Pasha ardhur nga Gjoçajt. Laçi i Matit është fshat arkeologjik. Në lindje të Lacit ndodhen përrejtë Val dhe Blaz. Ndër vendet historike (toponimet) të këtij fshati përmendim; “qyteza e Skanderbegut”, “shpella e Blazit, “shpella e Pëllumbave”, “shpella e Këputës”, “shpella e Nezirit”, “fusha e Valit” e shumë afër me Brahimlikajt ndodhet “vendbanimi i hershëm i Malthit” fshat ose lagje që është zhdukur me kalimin e kohës dhe në këtë vend u ndërtua rezervuari i “famshëm”. Ngjitur me lagjen “Brahimlikaj” ndodhet “Shën Maria e Laç-Gjecit” një nga kishat më në zë të Matit që kishte 3 altarë, 2 priftërinj dhe 800 besimtarë. Po kështu përmendim vendet e shenjta, “Shën Balazin në livadhin e Shendit”, “Shën Kollin”, “Shën Vlashin afër livadhit të Turkut”, “Shën Kolli i Brucit ose Mirjash…ku ndahet Laci me Lufajt”, “kodra e Kllajçit”, “lisat e Kobinarbnit”, “livadhi i Shendit”, “ara e Mokrrës” e tjerë.

Ndër fiset më të mëdha të Laçit janë “BRAHIMLIKAJT” ose një lagje e tërë ose gjysma e fshatit dhe janë vendosur në dy anët e burimit “gurra e Kishës”. Në verilindje të kësaj lagjeje ndodhet “kisha e Laç-gjeçit” ose “shën Maria” e Brahimlikës të cilën e prishën turqit në 1650 dhe përfundimisht u shkatërrua në komunizëm ku i`u shkulën gurët nga ndërtimi i një rezervuari, “çmenduri” e kohës. Sipas “gojëdhënës” në këtë kishë mund të kenë studiuar edhe Pjetër Përlati komandant legjendar i Skëndërbeut, (Sfetigradit) dhe Bernard Laçi (nga Laçi), ai që drejtoj një seancë të kuvendit të Dukagjinit (1601-1602). Brahimlikajt e parë kanë ardhur nga Lura, fisi Vladi (pas shuarjes së “Malthiotëve” banorëve autoktonë vendas). Më vonë Brahimlikajt u bënë zotër edhe të kishave përreth. Ka të dhëna të shumta që burra të fisit Brahimlikaj kanë qenë prezent në të gjitha ngjarjet e mëdha kombëtare nga Lidhja e Prizrenit, në Monarkinë Shqiptare (në kohën e Mbretit Zog I) deri në LANÇ apo në kohën e demokracisë. Përmendim, Nezir Ahmeti-Brahimlikaj, Hazis Daliu Brahimlikaj, Xhelal Hazisi-Brahimlikaj, Xhemal Hazisi-Brahimlikaj, Asllan Brahimlikaj, Hajrulla Brahimlikaj por edhe Asllan Haxhiu-Brahimlikaj, Shaqir Sedini-Brahimlikaj, Ismail Saliu-Brahimlikaj e tjerë që e nderuan këtë fis në kohë të ndryshme.

Dali Lika u rrit në Laç së bashku me vëllain e tij më të madh Kalemin në kushte të vështira për shkak të luftës dhe rrethanave të krijuara pas saj, si gjithë fëmijët e tjerë të Brahimlikajve pasi këto familje u shpallën “zogistë”. Në moshë fare të re pasi mbaron shkollën fillore rreth 16 vjeç shkoi të punonte në Hidrocentralin e Selitës/Tiranë. Meqenëse nuk e pranuan se ishte vogël ai bëri çmos dhe e rriti moshën e tij me 2 vjet dhe pastaj e pranuan në punë si punëtor në këtë vepër hidroenergjitike të parën në Shqipëri që u vu në punë në vitin 1951. Në këtë vepër u njoh me vështirësitë e punës por u ambjentua me kolektivin e punëtorëve që duhet thënë se ishin shumë të motivuar dhe punonin me ndërgjegje të lartë në këto vepra të mëdha. Aty u njoh me shumë inxhinierë të huaj (sovjetikë) e vendas që kishin mbaruar shkollën jashtë, teknikë e punëtorë të moshave të ndryshme dhe u rrit me ta. Pas Selitës ai shkonë në Ulëz dhe mori pjesë në ndërtimin e këtij hidrocentrali. Edhe këtu kishte inxhinierë e teknikë të njohur dhe kjo vepër pati edhe vështirësitë e saj dhe u desh që Shqiptarët të mësonin mirë “hilet” e digave dhe tuneleve të hidrocentraleve. Këtu Dali Lika i`u fut punës me përkushtim dhe mësoi shumë. Pas Ulzës vjen Shkopeti dhe atje është përsëri Dali Lika me eksperiencën e tij, pastaj vjen Vau i Dejës dhe përsëri Dali Lika me brigadën e tij është present në këtë vepër të vështirë. Në Fierzë në veprën më të madhe hidroenergjitike të Shqipërisë me një pjesëmarrje prej rreth 15 mijë punëtorësh, inxhinierësh, teknikësh manovratorësh nga e gjithë Shqipëria shndrit emri i Dali Likës nga Laçi i Matit. Ai bëhët figurë e rëndësishme në këtë kohë dhe tërheq vëmendjen e shumë njerëzve e sidomos artistëve, gazetarëve dhe kineastëve.

Në të njëjtën kohë ai është bërë i njohur jo vetëm për inxhinierët e drejtuesit e Fierzës por edhe për autoritete të lartë të vendit tonë në këtë periudhë. Puna e tij cilësore bëhet “model frymëzimi” për punonjësit e tjerë dhe më gjerë në mbarë vendin. Në këtë kohë xhirohet filmi artistik “Yje mbi Drin” që mbështetet krejtësisht tek njeriu real, laçiani Dali Lika. Aktori brilant Sandër Prosi skalit në këtë film një figurë të njëjtë me Dali Likën. Për Dali Likën skulptori Robert Varfi realizon një bust që ka qenë deri vonë në Galerinë Kombëtare. Në fakt në këto vite artistët e kohës ishin të urdhëruar për t`u përqëndruar tek njerëzit e punës por duhet thënë se mjeshtri Dali Lika e kishte merituar atë me punën e tij të madhe në këto vepra të mëdhë së bashku me Sali Matën. Ata ishin bërë shembull frymëzimi me punën e tyre, pa lajka, hile apo servilllëqe por me ndërgjegje e vetmohim të pashoq. Artistët, gazetarët e njerzit e artit e kulturës në këtë kohë e bënë edhe model të punë së tyre që të sillnin edhe anën njerëzore të këtyre njerëzve në art, gazetari e kulturë. Shkrimtari i njohur në këto kohë Dhimitër Xhuvani i frymëzuar nga puna e këtyre njerëzve si Dali Lika e tjerë shkruan romanet Tuneli, Fan Smajli, e disa tregime ndërmjet të cilave shkruan dhe reportazhin pikant “Hani i vogël”. Na fakt tregimet, shkrimet e romanet e Xhuvanit për njerëzit e punës në këto kohë revolucionare, ishin mjaft realiste e njerëzore dhe padyshim ishte një nga shkrimtarët më realist dhe të pëlqyer të kohës.

Për këtë ai u dënua për romanin “Tuneli”, (1966) dhe u largua nga Tirana. Në tregimin e tij reportazh ai e pyet Daliun se sa sa vjeç ishte kur ai kishte filluar punë, ndërsa Daliu i përgjigjet: “ja, sa ky djalë”…dhe i tregon me gisht Hanin e Vogël 14 vjeç, të birin që e kishte marrë me vete të punonte në hidrocentral që më vonë u bë shofer i njohur i parkut të Shkodrës. Ky fakt i bën përshtypje shkrimtarit dhe qëndis një shkrim që do bëjë bujë për kohën. Ky shkrim ka qenë edhe në tekstet e letërsisë së shkollave 8-vjeçare e të mesme të kohës. Në kantierin gjigand të Fierzës, në Bistricë, Shkopet e Selitë Dali Lika njihet e vlerësohet për punën e tij nga emra të mëdhenj të energjitikës shqiptare si Petrit Radovicka, Fahrudin Hoxha, Emin Mysliu e shumë e shumë të tjerë. Natyrisht që propaganda e kohës e bënte punën e vet por duhet thënë me forcë se Dali Lika ishte një punëtor i madh, njeri me iniciativë, mjeshtër i vërtetë i digave, luan i tuneleve të hidrocentraleve të Shqipërisë e kjo është një e vërtetë e pamohueshme pavarësisht kohës kur ai punoi në këto vepra të mëdha energjitike me rëndësi për ekonominë e Shqipërisë. Në këto vepra të mëdha të vendit për punën e tij të shkëlqyer Dali Lika u propozua disa herë që t`i jepej titulli, “Hero i Punës…” por organizata famëkeqe e Partisë së punës në fshatin e tij të dashur Laç të Matit e cila kishte drejtues zemërzinj e pa dinjitet nuk lejoi kurrë që Daliut t`i jepej ky titull formalisht sepse Brahimlikajt ishin “armiq” të pushtetit të kohës, nuk lejohej të arsimoheshin pa le të bëheshin Heronj?! Idiotësitë e marrëzitë e kohës ku jetoi e punoi Dali Lika! Në fakt Dali Lika ishte HERO dhe kështu u trajtua nga ata që punuan me Të dhe që i`a dinin mirë meritat e vlerat e Tij. Përveç Dali Likës edhe djem të tjerë të Brahimlikajve pas tij që përpiqeshin të mësonin ose të bënin ndonjë farë karriere ndaloheshin pa e filluar atë dhe nuk u jepej e drejta e arsimit të lartë për shkak të luftës së klasave.

Për afro 40 vjet Dali Lika punoi me përkushtim e përgjegjësi të lartë në veprat e mëdha të kohës në fushën e energjitikës duke u quajtur “hero i digave” dhe “luan i tuneve”, e kjo është gjë e madhe që meriton vlerësimin maksimal edhe në ditët tona. Ai doli në pension para ardhjes së demokracisë. Në ditët e para të demokracisë Dali Lika ishte mjaft aktiv. Ai së bashku me djem të rinj të Laç-Bruç-Urakës ishte mjaft aktiv dhe ishte në grupin nismëtar të krijimit të Partisë Demokratike në këtë zonë. Dëshmitarët e kohës e rendisin Dali Likën në krye në demokratëve që në fillim së bashku me Nazmi Brahimlikaj, Gramoz Lika, Petrit Brahimlikaj, Kadri Mardeda, Ramzan Barlika dhe mësuesi Gëzim Këputa që ishte kryetari i parë i PD në këtë zonë. Duhen përmendur edhe djem demokratë me kontribute në këtë kohë dhe më vonë si Shpëtim Lika-Brahimlikaj, Luan Brahimlikaj, Eduart Brahimlikaj e të tjerë.
Heroi ynë Dali Lika u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare (2014) duke lënë pas një emër të mirë e të nderuar në Laç-Bruç-Urakë, në Mat, në sistemin energjitik shqiptar dhe në mbarë Shqipërinë. Shqiptarë të nderuar, patriotë të mi nga Laç-Bruç-Uraka, sa herë të kaloni nga Ulza, Shkopeti, Selita, Vau i Dejës dhe Fierza, sa herë të dëgjoni e shikoni për këto vepra të mëdha energjitike kujtohuni se në themelet e tyre (në digat e tunelet e tyre) është mundi, djersa dhe puna e Mjeshtrit, Heroit dhe Luanit Dali Lika nga Laçi i Matit. Unë dhe bësoj të gjithë banorët e këyre fshatrave e të gjithë matjanët jemi krenarë për punën e veprën e heroit tonë Dali Lika dhe nuk do ta harrojmë kurrë emrin e kontributin e tij.

Në këtë shkrim homazh për Dali Likën, (që duhet thënë se ishte dhe një mik i mirë i babait tim mësuesit Preng Përshqefa) nuk mund të lë pa përmendur edhe djemtë e mëdhenj të tij Hanin e Gëzimin që ishin nxënës e miq të mirë të babait tim me të cilët unë vazhdoj të komunikoj me respekt edhë në këto kohë. Djemtë e Dali Likës, nipat e mbesat e tij, të gjithë Brahimlikajt, Laçianët, Bruçianët, Urakasit dhe të gjithë Matjanët duhet të kujtojnë gjithnjë me respekt punën e veprën e heroit të hidrocentraleve Dali Lika.

I përjetshëm heroi ynë Dali Lika! Të nderuar qofshin pasardhësit e heroit të hidrocentraleve, Dali Lika!

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest