Nuk jemi takuar kurrë ndonjëherë për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit, apo për të pirë kafe ndokund. Unë u njoha me ju ashtu si gjithë shqiptarët, por duke patur privilegjin të jem mirditor arrita te mësoj pak më tepër rreth personalitetit tuaj, vetëm kur fillove të shfaqeshe si dikushi. Nuk m’u desh shumë informacion nga moshatarët dhe kolegët e tu për të kuptuar se çfare u dallon nga mirditorët e sotëm dhe ku ngjasoni me paraardhësit e tyre, njëkohësisht dhe tanët.
Ne trashëguam prej të parëve trimërinë, mençurinë, urtësinë, e bashkë me to, edhe varfërinë. Nga ky start i përbashkët fëmijëria juaj nisi udhën drejt diturisë. Nuk e përzgjodhe dot shkollimin sipas dëshirave të zemrës, por nga halli, dhe po në hall desh t’u kthye ai, prej brishtësisë së shtatit. Nga ushtaraku i kohës kërkohej sëpari përgatitja fizike por t’i shkëlqeje vetëm në përgatitjen mendore, prej së cilës dhe arrite të shpëtoje prej përjashtimit përfundimtar nga ajo shkollë.
Kjo lloj përgatitjeje filloi të t’i jape frutet në heshtje dhe dalëngadalë. U befasuam prej tyre vetëm kur ato na i serviri si “kurë” emergjence kryeguzhinieri ynë i mendjes, Ismail Kadare. Nuk e di për të tjerë mirditorë, por për mua, ajo “kanistër frutash” prej kopshtit të mendjes suaj e servirur prej këtij gjeniu të letrave më ngjau me një kupë floriri. Një vlerësim i tillë për mendjen e një mirditori na mungonte që prej kohës së Preng Bib Dodës e Abat Doçit. Ju na e mundësuat atë sërisht pas disa dekadash.
Pranimi i postit, për t’i shërbyer atdheut, si Ministër i Brendshëm, nuk t’i zhvlerësoi dot gradat e fituara si ushtarak, përkundër, i legjitimoi ato, duke ngritur dhe njëherë në piedestal vlerat historike të mirditorëve edhe në këtë aspekt. Dorëheqja nga ky post i vuri kapakun e artë cilësive tuaja personale, e padyshim, rivlerësoi edhe fisnikërinë e mirditorëve. Trimëria nuk ka nevojë për muskuj, por për zemër. Në këtë kohë të trazuar ju e treguat se ajo nuk u mungoi në asnjë çast si përballë brutalitetit ashtu dhe kundrejt pushtetit. Si mirditor, je dhe mbetesh krenaria ime.
Faleminderit Sandër.
nga Gjoke Pepa

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

