Prej ditës së sotme, njëri prej pjestarëve të ansamblit “Mirdita” (Mjeshtër i Madh), me mbi 54 vite në skenat kombëtare shqiptare por edhe jashtë Shqipërisë, Nikoll Preçi, do të mbajë çmimin prestigjoz “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Një vlerësim i tillë vjen në përgjigje të kërkesës së bërë, nga “Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave Mirdita” një vit më parë. Presidenti i Republikës z. Ilir Meta me numër dekreti 13819, datë 18.07.2022, i ka akorduar z. Nikoll Preçi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin si më poshtë:
“Me vlerësim dhe mirënjohje për kontributin e dhënë për folklorin popullor shqiptar, veçanërisht i trevave të veriut; interpretues virtuoz i këngës dhe instrumentëve tradicionalë, shëmbull i shkëlqyer i rapsodit popullor”.
Një përmbledhje e biografisë artistike e këngëtarit Nikoll Preçi (Mjeshtër i Madh)
Nikoll Preçi është prej vitesh në pension. Është ai djali 14 vjeçar që me të mbaruar shkollën fillore, në ambientet e Qelës në Kodër Rrëshen, kushtet ekonomike të asaj kohe e detyrojnë të ndërpresi shkollimin e mëtejshëm për në klasë të pestë, dhe të fillojë punë si ndihmës kamarier në një lokal të kohës në Rrëshen. Ndërsa lokali mbyllej për kohë pushimi, shefi e mbyllte brenda kamarierin fëmijë për të kryer punët, sidomos pastrimin. Ndërsa mbaronte punë dhe brenda “kafazit” niste të këndonte, tingujt muzikorë krejt rastësisht mbërritën në veshin e legjendës së papërsëritshme të artit dhe kulturës mirditase, rapsodit dhe kant-autorit, themeluesit dhe udhëheqësit të grupit të burrave të Mirditës, Fran Vorfi….Për më shumë kliko në linkun:
Historia, Si nd/kamarieri 14 vjeç me zërin e tij të spikatur, çau muret e lokalit ku e ngujonin.
Cermonia e dekorimit me titullin, “Mjeshtër i Madh” për z. Nikoll Preçi.
Ceremonia e dekorimit është mbajtur në një nga zyrat e Këshillit të Bashkisë Mirditë. I pranishëm ishte i autorizuari nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, Këshilltari Ushtarak, Gjeneral Ded Prenga, si dhe drejtuesit e Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, z. Pjetër Marku e Aleksandër Ndoja. Në këtë event të rëndësishëm për artin dhe kulturën e trevës tonë, ishte i pranishëm edhe kryetari Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj. Të pranishëm të tjerë ishin kolegë ndër vite të këngëtarit, Nikoll Preçi, përfaqësues të institucioneve kulturore të Mirditës, si dhe miq e familjarë.
Ceremonia është është hapur nga sekretari i kësaj akademie dhe kryeredaktor i revistës “Mirdita” z. Aleksandër Ndoja, i cili ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e këngëtarit Nikoll Preçi në fushën e këngës rapsodike, ndërsa ka folur dhe mbi angazhimet e Akademisë për promovimin e vlerave kulturore artistike dhe historike, në Mirditë.
Më tej ai ka dhënë fjalën z. Ndrec Dedaj, kryetar i Bashkisë Mirditë i cili ka bërë një përshkrim të punës dhe aktivitetit artistik të Nikoll Preçit dhe ndërkohë ka falenderuar dhe vlerësuar, Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” për promovimin e këtyre vlerave të Mirditës në fusha të ndryshme, si edhe ka falenderuar gjeneral Ded Prenga, për angazhimin e tij në këtë fushë.
Pjetër Marku në cilësinë e kryetarit të Akademisë, ka renditur arsyet pse këngëtari Nikoll Preçi e meritonte katërcipërisht një vlerësim të tillë nga institucini më i lartë i shtetit shqiptar.
Moderatori i këtij aktiviteti z. Aleksandër Ndoja ka ftuar këshilltarin ushtarak të presidentit Ilir Meta, për të dorëzuar çmimin “Mjeshtër i Madh” për këngëtarin Nikoll Preçi.
Për mëshumë ndiqni kronikën..

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”