-Nga Aleksandër NDOJA-
Dikur pata shkruajtur se “nga legjenda të treguara erdhëm te kënga, ndërsa kenga çeli arkivat ku u mbart historia”. Natyrisht kjo i përket një kohe të herëshme, ku celuloidi nuk ishte në dispozicion të çdokujt për të fiksuar portrete, ngjarje apo rrëfenja. Në fakt njerëzit që përcjellin vlera në jetën e tyre, lënë pas kujtime që nuk mund të fshihen.
E tillë ishte Liza këngëtare, artiste, mësuese e talentuar, mbi të gjitha një grua e plotësuar edhe nga fiziku i saj shtatlartë, aq sa dukej se as predhat e topit nuk mund ta ulnin, e njëllojtë me malet e larta. Por atë që s”mund ta bënin predhat e bëri sëmundja e rëndë, e pashërushme, që i mori jetën në një moshë aspak të përshtatshme, duke sfiduar besimin e saj, mjekimin më solid të mundshëm, por edhe lutjet pafund të afërmeve, vëllait sëpari, miqve, shokëve dhe shoqeve bashkëpunëtorë, madje një komunitet si ai i Përlatit, ku ajo lindi dhe shënoi hapat e parë në jetë.
E ndërsa përjetësimi i saj në një këngë ka ardhur nga vëllai i saj, miku më i ngushtë dhe mbështetës në rrugën e artit, Agim Picaku i njohur edhe si këngëtar, pra dhe koleg i motrës së tij tashmë të ndjerë. Natyrisht në vargjet e kësaj kënge mëson jo pak mbi historinë e këngëtares artiste, mësueses së muzikës, por dhe nënës së mirë për fëmijët e saj. Por le të të kthehemi tek portreti i së paharruarës Liza Piacaku, që u nda nga jeta më 26 nëntor 2019.
Liza Piacaku, një përshkrim i shkurtër i veprimtarisë së saj artistike dhe kulturore.
Liza Picaku, lindi më 16.03.1956 në një familje emblematike në Perlat-Qendër të Mirditës. Ishte e bija e Prengës dhe e Dilës, që e ushqyen me dashurinë e lumnueme për trevat mirditore dhe mbarëshqiptare. Ishte mbesë e derës së famëshme të Përvizëve të Kurbinit, që kanë ushqyer me qëndresë të pathyeshme atdhetarinë e trojeve tona etnike. U formua si personalitet njerëzorë dhe artistik në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Preng Jakova” në Shkodër.
Vitin e parë të mësuesisë e filloj bash aty ku qau për herë të parë në Perlatin e dashurisë së saj të pakushtëzuar. Ishte këngëtare, valltare, mësuese e përkushtuar, veprimtare shoqërore, e mbi të gjitha njeri me kuptimin më të plotë të kësaj fjale, duke përcjellë mirësi e fisnikëri jo vetëm tek perlatasit, por tek të gjithë mirditorët e tek të gjithë ata që e njohën dhe ndien dorën e saj përkushtuese… .
Ajo bashkë me bashkëshortin e saj krijuan çerdhen e tyre familjare në Laç të Kurbinit, ku Liza vazhdoi të ushqejë familjen e saj të re me cilësitë më të mira të derës nga vinte. Lindi dhe rriti me dashuri të paskaj dy fëmijët e saj të mrekullueshëm, të cilët janë krenarë dhe përpiqen të ndjekin në jetë imazhin dhe gjurmët e Lizës së dashur e të paharruar. Punoi me përkushushtim si mësuese muzike për vite të tëra në Laç, ku u angazhua në Pallatin e Kulturës si muzikante, kulturologe, valltare, këngëtare, udhëheqëse e talenteve të reja, të cilat gjetën tek Liza një inkurajuese, pasionante dhe mësuese të denjë në rrugëtimin e tyre drejt suksesit artistik.
Liza ishte një soliste me performancë mrekullore në festivalet kombëtare si ai i Gjirokastrës, Beratit etc..., ku pati vlerësime të larta nga juritë artistike të kohës. Jeta e saj ishte një dashuri e rrëfyer në mënyrën më autentike ndaj gjithkujt që pati nevojë për ndihmën dhe talentin e saj. Ndërroi jetë në një moshë ende të re, ku kishte aq shumë gjëra për të bërë dhe aq shumë dashuri për të shpalosur në jetën e saj. La pas një emër të mirë, një trashëgimi vlerash dhe vyrtytesh, një pasuri estetike, e cila do të jetë model për brezat që do të vijnë.
I vëllai i saj Agim Picaku, i ka kushtuar Lizës së ndjerë një këngë të mrekullueshme me tekst të z. Viktor Gikolaj, muzikë dhe orkestrim z.Servet Cara, të cilën e ka kënduar vetë Agimi me pasion dhe profesionalizëm. Vlerat estetike mirditore përcjellin kujtimin e një vlere siç ishte Liza, kujtimi i së cilës është një shenjë respekti e mirënjohje për hapat e bukur që lë pas njeriu në jetë…

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”