Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Mirdita në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Dr. Nikollë Loka

Nga Pirusti News
1 214 Shikime
SHPERNDAJE

Në fillim u duk se Lëvizja Shqiptare kishte vetëm synime mbrojtëse, kundër ambicieve të shteteve fqinje: Greqisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë, por pastaj gjithnjë e më shumë u bë e qartë se ishte shndërruar në një lëvizje kombëtare edhe kundër sundimit osman. Detyra themelore e Lidhjes ishte që mos ta lejonte Perandorinë Osmane t’i lëshonte territoret qe shqiptarët i konsideroheshin të tyret. Edhe Porta e Lartë ishte e interesuar t’i kundërvihej Traktatit të Shën Stefanit, ç’ka e bënte më të lehtë bashkëpunimin me krerët e Lidhjes, sidomos në fazën e parë të veprimtarisë së saj.

Kuvendi historik i Prizrenit, në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare, u mbajt në Bajrak xhami (në Xhaminë Flamur) të këtij qyteti me 10 qershor 1878. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen mëse 110 emra, shumica prej të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malsorë. Edhe pse ishte një objekt i kultit islam, përkrah tyre u rreshtuan dhe pesë delegatë kristianë (ortodoksë e katolikë) njëri ndër të cilët quhej Filip Doda, ndoshta mirditas në origjinë.

Në atë mbledhje të përfaqësuesve të vilajetit të Kosovës, popullsia e krishterë shqiptare nuk ishte e përfaqësuar sa duhet. Ka mundësi që autoritetet osmane e kanë dashur një situatë të tillë, që Lidhja e Prizrenit të kthehej në funksion të politikës së tyre, që përmes saj të mbronin territoret osmane kudo, deri në Bosnjë.

Në mbledhjen e parë, rryma sulltanore gjatë gjithë kohës kërkonte të ishte vendimmarrëse në Kuvend dhe fryma kombëtare të zëvendësohej me frymën fetare, në mënyrë që çështja e mbrojtjes së hapësirës etnike shqiptare, të shndërrohej në çështje të mbrojtjes së territoreve mbi baza fetare që shkonin në favorin e Perandorisë, siç ishte rasti me Bosnjen dhe Hercegovinën.

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm janë: Një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion drejtuar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti i vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa). Programi i autonomisë nuk u përfshi në Kararnamenë dhe nuk iu drejtua si kërkesë Kongresit të Berlinit. Në Kararname nuk flitet për reforma, shkolla shqipe, autonomi, por vetëm bashkim i të gjithë shqiptarëve në një Vilajet. Ndërsa në Talimat (Urdhëresë) flitej hapur se “Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga e cila do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate, do të krijohej dhe një ushtri e shkëputur nga ajo e Portës së Lartë, që do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja”.

Në fakt, Kararnameja nuk përfaqësonte mendimin politik më të përparuar të vendit. Elementët politikisht më të avancuar, që u gjendën fillimisht në Prizren, ishin të paktë dhe nuk mund t’i hiqnin Lidhjes karakterin e një organizate mbi baza fetare islamike në shërbim të Portës Megjithatë Lidhja trajtohej në Kararname si një institucion politik me një personalitet juridik të pavarur. Referimi në ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në të e shprehjes së besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, nuk përcakton karakterin e vërtetë dhe nuk cënon përmbajtjen e saj themelore, që i përgjigjej synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes, i cili do të miratohej në një mbledhje më të përgjithshme të Kuvendit, ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjithë krahinave të Shqipërisë.

Një qendër e dytë e Lidhjes veproi në Shkodër, ku lëvizja mori që në fillim një rrugë patriotike konseguente. Këtë e tregon edhe memorandumi i 13 qershorit 1878, në emër të të gjithë shqiptarëve, dërguar kryetarit të delegacionit anglez në Berlin, kryeministrit, lordit Bikonsfild ku thuhet se: ”Shqipëria, nuk mund të përfaqësohet nga qeveria osmane. Shqiptari, qoftë katolik, ortodoks apo musliman, e urren pushtetin turk po aq sa urren çdo pushtues tjetër të huaj… Ashtu sikurse nuk jemi dhe as duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bente sllave, austriakë ose grekë. Ne s’duam të jemi veçse shqiptarë”... Memorandumi kërkonte t’i jepej Shqipërisë autonomia në mbështetje të parimit të kombësisë dhe të caktohej një Komision Ndërkombëtar i Kontrollit që duhej të garantonte zbatimin e reformave siç ishte vepruar në Kretë dhe në Bullgari.

Memorandumi i Shkodrës, të cilin e kishin nënshkruar krerë dhe intelektualë të njohur myslimanë dhe katolikë nga ai vilajet, përmendte faktin se shqiptarët kishin autonomi në nivelin e fiseve dhe kërkonin nga Kongresi autonomi në nivelin e kombit.

Në aspektin ligjor, formimi i Shqipërisë si një shtet autonom ose i pamvarur nuk do të shkaktonte ndryshime thelbësore, sepse Shqipëria kishte patur gjithmonë autonomi sikurse Serbia, Rumania dhe Mali i zi, me të vetmin ndryshim se kjo autonomi ka qenë në nivelin e fiseve të cilët kishin detyrim t’i dërgonin Portës një kontigjent trupash në kohë lufte. Ndryshimi do të bëhet vetëm në formën e organizmit politik dhe administrativ, duke e kaluar pushtetin prej krerëve të fiseve të pavarura në një dorë. ,”Meqenëse Shqipëria është një komb me rracë, gjuhë, tradita, histori dhe të gjithë elementët përbërës të identitetit kombëtar, -theksonin ata, ka të drejtë të formojë një njësi të vetme nën një qeveri të vetme”.

Me 1 korrik 1878 ishte miratuar një Kanun i ri për Lidhjen e Prizrenit. Nga 300 delegatë që sipas dëshmive kishin ardhur në Prizren njihen të paktën 140 emra, nga të cilët 96 nga Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga Vilajeti i Janinës. Ndër delegatët shkodranë ishin dhe tre mirditas: Llesh Nikollë Përmargjeta, kreu i Spaçit; Ndue Marka Prendi, kreu i Kthellës dhe Prengë Llesh Biba, plak në Orosh, të cilët ndodheshin si komandantë zaptijesh(xhandarësh) në Shkodër. Autoritetet osmane i kishin lejuar ata që të shkonin në Prizren në kushtet kur pjesmarrja e të krishterëve ishte konsideruar e detyrueshme, por kishin edhe synnime të tjera që lidhen me shmangjen e Gjonmarkajve nga ajo ngjarje e madhe historike.

Shtrohet pyetja, përse mungoi një përfaqësues i Gjomarkajve në Lidhjen e Prizrenit. Pas shtypjes së Kryengritjes së Mirditës të viteve 1877-1878, Prengë Bibë Doda dhe Gjonmarkajt e tjerë kishin kaluar në ilegalitet. Vetëm me 18 maj 1878, pra pas Traktatit të Shën Stefanit dhe në prag të Kongresit të Berlinit, Kapidan Prenga ishte pritur në takim në Shkodër nga valiu Hysen Pasha. Porta e Lartë vërtetë e fali Prengën, por nuk e njohu si Kreun e Mirditës, pavarësisht se Krahina vepronte krejtësisht nën urdhërat e tij. Porta nuk dha shenja se po shkonte drejt pajtimit përfundimtar me Mirditën, pasi nuk e lejoi Prengën që të shkonte në Mirditë dhe, nga ana tjetër, kishte emëruar një qeveritar për atë Krahinë. Me 10 dhjetor 1878, kajmekam atje emërohet Jusuf Sokoli, pavarësisht se nuk ishte pranuar nga mirditasit dhe kishte hëqur dorë nga ajo detyrë.

Me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve dhe mobilizimin e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e tokave shqiptare, që ishin njëherësh dhe toka të Perandorisë, Porta e Lartë e ka lejuar Kapidanin e Mirditës të merrte pjesë në mbledhjet e organizuara nga Lidhja. Historiani turk, Yücel Yiğit e jep Prengën në një mbledhje të Lidhjes që është zhvilluar në teqen ”Marash” në Prizren, më 2 tetor 1879, në kryesinë e Haxhi Omer Efendiut. Nga shqyrtimi i dokumenteve, del se në atë mbledhje kanë nënshkruar 33 përfaqësues. Në atë mbledhje ishte zgjedhur Këshilli Qendror Administrativ i Lidhjes me Kryetar Myderriz Haxhi Omer Prizrenin dhe anëtarë: Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Ilyas Bej Dibra, Haxhi Zeka nga Gjakova, Hodo Pasha nga Shkodra, Prenk Bib Doda nga Mirdita, Shejh Mustafa nga Tetova, Myderriz Omer Efendi nga Prizreni, Jakup Feri, Mustafa Vlora, Mehmet Doshllaku, Sylejman Vokshi nga Gjakova dhe Dhimiter Kolea.

Lirinë për të shkuar në Mirditë Kapidani i Mirditës Prengë Bibë Doda e kishte fituar me 27 prill 1880, kur ai organizoi Kuvendin e Shpalit, ku u vendos që Mirdita të kontribuonte me 2500 luftëtarë për forcat e Lidhjes. Në komandën e forcave shqiptare për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, krahas Hodo Pashë Sokolit që ishte Komandant i Përgjithshëm, Prengë Pasha vinte i dyti, menjëherë pas tij dhe mbante funksionin e zëvendëskomandantit.Pra, pavarësisht sakrificave dhe vuajtjeve të luftës së fundit kundër turqve, Mirdita dhe Prengë Bibë Doda iu gjetën atdheut kur ai pati nevojë, në luftë kundër malazezëve.

Duke shqyrtuar burimet e historiografisë zyrtare, por edhe eksponatet e Shtëpisë së Lidhjes del se Mirdita dhe Gjonmarkajt ende nuk e kanë marrë atë vlerësim që meritojnë. Mirdita pati tre krerë të njohur të saj në Kuvendin e Lidhjes. Krahas tyre, shkuan në Prizren dhe qindra luftëtarë, por edhe mbështetës me të holla për llogari të Lidhjes. Manovrat e autoriteteve osmane, që në fillim Mirdita të përfaqësohej nga krerë të tjerë dhe jo nga Gjomarkaj në mbledhjet e para të Lidhjes në vitin 1878, ka të bëjë me synimet politike të autoriteteve osmane ndaj vetqeverisjes së Mirditës dhe lidhet me mungesën e besimit që kishin ndaj krerëve Gjonmarkaj, të cilët ishin bashkuar të gjithë rreth Prengës në kryengritjen e Mirditës të viteve 1877-1878. Nga ana tjetër, autoritetet osmane kujtonin se, duke mos i lejuar Gjomarkajt që të merrnin pjesë në një ngjarje të tilla madhore, do të ndikonin në dobësimin e ndikimit të tyre në popull.

Frika ndaj rritjes sëndikimit ishte shkaku i arrestimit të Prengë Bibë Dodës në Shëngjin, me 12 dhjetor 1880 dhe internimit të tij të dytë në Stamboll, që zgjati edhe 27 vjet të tjera. Autoritetet osmane kishin parashikuar një rok kryesor të Mirditës dhe Kreut të saj në zh illimet e ardhëshme.

 

Literatura

– Ethem Çku, Shqiptarët, botimet “Artini”, Prishtinë 2022.

– Fjalor Enciklopedik i Mirditës, botimet “Emal”, Tiranë 2021.

– Nikollë Loka, Prengë Bibë Doda i Mirditës- Dritëhijet e një burrështetasi, botimet “Emal”, Tiranë 2017.

– Robert Elsie. Albanian literature: a short history, London: I.B. Tauris in association with the Centre for

  Albanian Studies, 2005.

– Yücel Yiğit, “Milliyetçilik Çağında Prizren İttihat Cemiyeti”, Turkish  Studies, Vol. 4/8, Fall 2009.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest