-Nga VIKTOR GJIKOLAJ-
Ata janë të ndryshëm me shoshojnë. Frrok Gjet Kola, një burrë me emër në brezin e tij, i përlatas, por i njohur gjërë në shumë krahina të Shqipërisë e sidomos në Veri. Mirditasi tjetër është poeti i njohur Gjokë Beci. I pari u njoh me shkrimtarin e madh, në burgun e Tiranës, gjatë luftës së dytë botnore. I dyti, Gjoka, camardhoku – burrë i maleve të nalta, siç e pat quajtur mesuesi-shkrimtar, nxënësin e tij jetim, që vinte nga Selita në shkollën pedagogjike…
Të due fort, or Pjetër se je tosk i mire!
Në dy veprat e tij, shkrimtari Petro Marko, shkruan për burrin e Kthellës, Frrok Gjet Kola. Në romanin ‘’Nata e Ustikës” dhe librin me autointervista “Retë e Gurët’.’ Jeta i ka përplasur të dy në burgun e Tiranës. Petro Marko i arrestuar si ilegal me dy-tre shokë të luftës, ndërsa, Frrok Gjeta i burgosur për një incident më një oficer të Kuesturës. E zënka kishte ndodhur se oficeri i kishte kërkuar, cili i kishte dhënë duhan. Frrok Gjeta kishte heshtur e ai i qe kërcnuar: Trego se në hale do ti hedh mustaqet. I kishte prekur edhe majen e mustakut. Atëherë plaku e kishte qëlluar e koka e oficerit qe përplasur në mur..
Në faqet e romanit, burri i Kthellës, na vjen me gjithë dimensionin e një malësori që, e don dheun e vet, traditën e burrninë. I pashkollë, por i hollë në kuvendime. Dialogu që sjell autori lidhur me zhvillimet politike të kohës është sa realist aq edhe interesant. Shokët e Andrea Borës (Petro Markos) e ngucin, duke i folur ligsht për Gjomarkajt, Bazin e Canes. Reagimi i i Frrok Gjetës është i matur, por i prerë. Paj, ata i kam miq, nuk janë trathtarë si po thoni Ju… Mes birit të bregut të ashpër Petro Markut) e Frrok Gjetës u krijue një miqësi e besim i ndërsjelltë. Mjaft interesant na vjen episodi, kur Frrok Gjet Kola pas u lirue, vjen në burg me takue Pjetrin (kështu i thirrte në trajtën e të folmes në Mirditë). Pasi u përfalën e ndezën nga një duhan, Frroku i drejtohet shkrimtarit: Kam ardh me të marrë. Kam tetë djem me vete. Në Kthellë as dreqi nuk të gjen…
Të due fort,or Pjetër… se je Tosk i mirë! Shokët u çuditën me idenë e malësorit. Ajo që kishte mendue Frroku nuk ndodhi se ilegalët kishin projekte te tjera. U ndanë, duke i i thanë: Të ruajt Zoti ,or Ndre (Andrea) Bora!
Te kryevepra e Petro Markos, “Retë e Gurët” e risjell porofilin e burrit të Kthellës më açik. Pasi i len mbi tavolinë duhanin dhe një torbë me ushqime e plani me e nxjerr nga burgu nuk realizohet, ai i drejtohet: Të ruajt Zoti,or Pjetër, kur të kesh nevojë, veç më thirr… Shumë prekës e domethëns është episodi tjetër, pas çlirimit.
Në Berat, kur ishim te Shtabi, Tuk Jakova i tha Hysni Kapos: Thuaja, thuaja Petros atë çeshtjen e Frrok Gjetës. ‘’Dëgjova nga ata se Frroku, kishte thënë në Kthellë: Fshatarët të mos qëllonin mbi partizanët se i kam dhanë besën Pjetrit (Petros), kur ai kishte miqësi me krerët e Mirditës, Matit e Dibrës…
Me emocion autori sjellë në libër edhe komunikimin e fundit, më 1947, kur drejtori i të përditëshmes, “Bashkimi” arrestohet…Eh, miku i tij, pasi i vrasin djalin me dy nipat ndër malet e Mirditës, i jep fund jetës në internim në Shtyllas, Fier. Njeriu që në kullën e tij kishte pritur e percjellur krerë të maleve, krerë të luftës NÇ, udhëtarë e njerëz të zakonshëm, përcillet në banesën e fundi si “armik”. E shoh të arsyeshme, pa dalë nga agumenti i këtij shkrimi, të themi se, drama e Frrok Gjetë Kolës, është drama e shumë familjeve të mëdha në Mirditë. Ata i hapën derën kujdo që i bani za, o i zoti i shpisë!
Me shekuj, në ato vise të thella të Arbërit, është thënë: ‘”Shpia asht e Zotit dhe e Mikut’’. Por, diktatura shkeli mbi keto tradita dhe bukën e dhanë mikut a njerëzve të panjohur e quajti si bashkepunim me ‘’armiqtë’’. Në këtë vështrim Frroku i shkrimtarit të madh, është personazh tipik i asaj stine.
Miku i shkrimtarit nga Kthella nuk ishte pjesë e parisë tradicionale të Mirditës, por një familje e kamur e mirëdrejtuar në ato kushte ekonomike që kishin ato vise. Dhe kishte disa nga këto familje tradicionale tipike. Kështu ishte Lufi e Gjolleshi në Selitë e shembuj ka në çdo zonë…Këto familje bahen shënjestër e diktaturës, ani se gjatë luftës kishin dhënë kontribute të mëdha. Frrok Gjet Kola ishte në shtabin e focave që sulmuan garnizonin italian dhe e nxorën nga Burreli, bashkë me Sul Kurtin, Ndrec Lufin etj.
Shkoje zemëruar
si cigare e shuar
Është lajtmotivi i një poezie të poetit të njohur mirditas Gjokë Beci, dedikuar mësuesit të tij, në shkollën pedagogjike, shkrimtarit Petro Marko. Përkujdesja e tij prindërore për camardhokun jetim të ardhur nga Mirdita e ka emocionuar pa cak poetin e ardhshëm të këngës shqipe. Mësuesit të tij idealist i pashoq e zemërbardhë si bora e kreshtave tona, i ishte mirënjohës pa kufi. I dhembte në zemër jetimi i varfer e i etur për dije, me ëndrrën për t’i ngjarë sado pak mësuesit poet.
E shkrimtari, shkonte zemëruar
Si cigare e shuar.
Pa niste t’iu thoshte nxënësve episode nga brigjet e Ebros, copra kujtimesh me Eminguejn, për shokët luftëtarë,në Spanjë…
E vinte duke qeshur
Si cigare e ndezur…
Por, drama e poetit zgjatet e e zgjatet. Shkrimtari do vinte në Mirditë shpirtcoptuar, të takojë të birin Jamarbërin në burgun e Spaçit, projekt djallëzorë i shokut vet të luftës Mehmet Shehu. Pyeste për nxënësin e tij poet e i thonin se e kanë larguar nga biblioteka dhe e kanë dërguar të bëj llaç në ndërmarrjen e ndërtimit…
Dhe shkonte zemëruar
Si cigare e shuar…
Vjen një kohë, që Gjoka lejohet të të botojë librin e dytë. Dhe është gruaja e shkrimtarit, piktoria Safo Marko, që do bëje kopertinën e librit, Zambaku im. Po trokiste një stinë e re . Po dilnim nga një dimër i egër, shumë i egër. Dhe kafja e fundit e Gjokës me Petron, vetëm pak kohë para se ai do të ndërronte jetë.
Ja dhe përmbyllja e poezisë:
Andej nga shkon Petro, valë lëshon Dhërmiu
Andej nga vjen Petro,lule mbjell njeriu
Dhe shkonte zemëruar
Si cigare e shuar
Se vinte duke qeshur
Si cigare e ndezur.
***
I pari iku këso bote, Frrok Gjeta i Kthellës. Një jetë plot bëma, veprimtari, dhimbje e tmerr…
Iku zemëruar…
I dyti iku Petro, ky toska i mirë i Frrok Gjetës dhe gjithë gjakut tonë.
Shkoi zemëruar…
I treti Gjoka.
Shkoi dhe ai zemëruar.
Shkuan të tre zemëruar, si cigare e shuar…
Dhe na vijnë në kujtimet tona, duke qeshur
Si cigare e ndezur!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

