-Reportazh nga Aleksandër NDOJA-
Një ftesë jo e zakontë, kur bëhet fjalë për studime të mirëfillta me temë si “2000 vite krishtërim te shqiptarët”, por edhe serioziteti i madh i organizatorëve bën që krahas shumë dilemave për shkak të angazhimeve të tjera të përafërta, të zgjedhësh udhëtimin në Zvicër, më saktë në qytetim e mirënjohur Luzern. Për shkak të kohës së reduktuar vetëm fundjavë, bileta ta dikton të fluturosh nga “Adem Jashari” i Prishtinës dhe pse prej disa kohësh edhe “Nënë Tereza” e mundëson një udhëtim direkt me Bazelin, Zyrihun apo aeroporte të tjera të Zvicrës..
Udhëtimi i të shtunës paradite i konvenon orarit të takimit të Luzernit, pasi ai ishte caktuar në ora 18 të mbrëmjes. Edhe pse nisemi nga Prishtina, duket se për qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha rrugët kalojnë nga shteti amë, Shqipëria. Pra që rrugët të kalojnë nga Shqipëria e kanë caktuar vetë kompanitë ajrore që ndjekin lëvizjen nga Prishtina për në zonën e Shkodrës, për më tej në Mal Zi, Kroaci, Austri, një një pjesë të Gjermanisë, ndërsa para se të zbresim në Bazel, avioni kalon përmës Lihtenshtajnit, një minishtet alpin prej 160 km2 me popullësi prej 38 mijë banorësh, por me një standart jetese nga më të lartit në botë.
Megjithatë deri këtu ka diell pafund, njëlloj si në Prishtinë apo Tiranë, që dukej se kishte dalë vera e nxehtë. Si me thikë kur kalon mbi alpet plot borë tejet të dukshme nga dritarja e avionit, me tu afruar drejt Zvicrës ndeshesh me dendësi të lartë mjergulle. Edhe pse avioni vijon të lëvizë me mbi 800 km/orë më kot shpresojmë të lëmë pas mjergullën. Një situate e tillë është e njëjtë deri kur zbresim në Bazel, ku mes mjegullës së dendur arrijmë të shquajnë qytetin dhe ndërtesat. Mjegulla nuk na hiqet as kur avioni air-buss i mbushur skaj e në skaj me udhëtarë (30 rradhe nga 6 udhëtarë) prek pistën e aeroportit ndërkombërar të Bazelit, një pikëtakim mes tre shteteve Zvicër, Gjermani e Francë.
Tashmë në çdo orar nisje për në Zvicër apo vende të tjera të BE-së, prej 1 janarit nuk është vetëm një avion por dy për çdo orar, pasi kuptohet, qytetarëve të Kosovës i janë liberalizuar vizat ndaj edhe për kompanitë ajrore ka më shumë punë.
Në aeroportin e Bazelit, kërkohet vëmendje e shtuar.
Të zbresësh në këtë aroport duhet të jesh disi i kujdesshëm, pasi nga sallat e brendshme nuk je i sigurtë se në të cilin shtet përfundon. Ndoshta një pllakë apo shirit prej adezivi mund të çojë në ndonjërin prej shteteve ku nuk ke në plan të shkosh. Jo më kot ky areoport është kthyer në objekt anektodash, ndoshta me elementë të fortë vërtetësie, pasi ka ndodhur që persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Serbia, por që kuptueshëm këto vendime njihen dhe nga Franca, por jo nga Zvicra, kanë përfundur në burgje deri edhe në Hagë, nga ngatërrimi i një rrjeshti pllakash apo shiriti mes tre kufinjve që janë në ambientet e brendshme të këtij aroporti, pa dogana tradicionale. Megjithatë të prekësh Zvicrën shikon prefeksion në çdo element, anipse dielli nuk është në Prishtinë e Tiranë.
Megjithatë për drejtimin që duhet të marrësh e tabelat nuk hamendësojmë shumë, pasi në vend të dukshëm, sa herë mbërrijmë në Zvicër për aktivitete të ndryshme shikon pritës të pa munguar kurrë, të spikatur dhe suportues në të gjithë elementët e vizitave, Akademik Murat Ajvazi, nështetas zviceran nga Prishtina, historian i mirënjohur, njëherit themelues dhe drejtues i “Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë me seli në Zvicër”, autor i shumë botimeve me karakter historik, ndër to më i rëndësishmi nga vlerat historike e shkencore “Skenderbeu në historigrafinë Zvicerane” përkthyer në pesë gjuhë më të rëndësishme të botës. Këtë rradhë z. Ajvazi është i shoqëruar nga bashkëatdhetari i tij dhe i yni, profesori i mirënjohur i Gadimes në Kosovë, Sami Jashari i cili ishte për qëndrim tek familjarët e tij në Zvicër, në kuadër të liberalizimit të vizave. Pas një pushimi pakorësh në Baden, sëbashku me Akademik Murat Ajvazi dhe profesorin Sami Jashari, marrim rrugën për në Luzern, në adresën e Misionit Katolik në këtë qytet, ku ishte lajmëruar promovimi i botimit shkencor “2000 mijë vite krishtërim te shqiptarët”.
Në Luzern, në ambientet e Misionit Katolik të këtij qyteti.
Rreth orës 18 kur ishte paranjoftuar aktiviteti, sheshi para këtij misioni ishte tejmbushur me njerëz dhe vetura, aq sa parkimi bëhet i pamundur për momentin. Por si çdo gjë në Zvicër është në perfeksion, pikërisht në ora 18 hapen dyert e një garazhi të madh e për pasojë sheshi çlirohet totalisht. Në sallë ka shumë ulëse, por numri i madh i pjesmarrësve, ndoshta mbi 150 detyron stafin të shtojë akomodim. Skena e kësaj salle është dekoruar me fotografi të At’Gjergj Fishtës, nënë Terezes dhe presidentit historik të Dardanisë, Ibrahim Rrugova.
Aktiviteti që koincidon me 16 vjetorin e shpalljes së Republikës së Kosovës, nis me hymnin kombëtar të shtetit më të ri në Ballkan ekzekutuar nga kori muzikor i këtij misioni, pasuar me Hymnin e Flamurit sipas variantit të homerit të shqiptarëve At’Gjergj Fishta. Takimi u moderua nga moderatorët Sabit Gecaj dhe Rehana Doko, kjo e fundit përcillte moderimin në gjuhën gjermane.
Ne fjalën e tij Kristë Coli, organizator i simpoziumit, dhe bashkëfinacues i botimit sëbashku me Ahmet Asanin, tha ndër të tjera se: “…. Martirizimi, Kryqzatat kundraj Kishës, KLERIT KATOLIK SHQIPTAR ishte vazhdimsi e krimit anti shqiptar, për ta mbajtë largë CIVILIZIMIT evropian botën shqiptare!!!
Prandaj duhet te jemi te lumtur qe me ketë vepër historike, po i japim INFORMACION e perspektivë njerzve tanë,per te punue ma shumë, per te mbarën e SHTETEVE TONA qe kanë te ardhme vetëm nese unifikohemi!, ndërsa më tej ai ka falenderuar degën PSHDK e Thurgaut si promotoret e Simpoziumit dhe sponzoret Misioni Katolik Shqiptar ne krye me Dr.Dom Anton Uken, ne veqanti ju Motrave te palodhshme dhe vetëm te BUZQESHURA, SHH Nana Tereze e Lucernit,ne veçanti Ndue Zalli e Bardhec Berisha, ndërsa më herët falenderimet e tij shkuan edhe për kryeredaktorin e këtij libri, Prof. Dr. Jahja Drançolli.
Më tej fjalën e ka marrë dr. Paulin Zefi, historian dhe Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Historik dhe Memoriali në Bashkinë e Lezhës, ndër të tjera tha se …. Atë çfarë duhet të kishin bërë prej kohësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e kanë bërë pikërisht Z.Kristè Coli dhe Z.Ahmet Asani, të cilët, siç e kam shprehur në Lezhë para dy muajve gjatë promovimit të këtij libri dhe tani po e perifrazoj: “Të dy këta patriotë të nderuar, janë të denjë për çdo lëvdatë…
Kliko për leximin e plotë.
Me mjaft interes dhe duartrokitje është pritur fjala e teologut të besimit islam Zekeria Idrizi, fjalë të cilën e ndiqni të plotë në këtë link.
Në këtë takim sa festiv dhe shkencor performuan mjaft mirë çifti i mirënjohur Krasniqi nga Gjeneva. Në fillim interpretoi fuqishëm Shpejtim Krasniqi këngën baladë për Kryeheroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kurse bashkëshortja e tij, Afërdita Krasniqi, interpretoi disa recitale edhe këngë balada për kombin dhe atdheun, në veçanti për Kosovën dardane. Në fund tu duartrokit me mjaft vlerësim dueti Ejona Bytyqi dhe Elion Krasniqi të cilët performuan dy këngë duke e shtuar atmosferën festive. Pas përfundimit të pjesës zyrtare të takimit, të pranishmit kaluan çaste të këndshme mes njëri tjetrit, në një coctalil të shtruar në ambientet e jashtme të këtij misioni fisnik në Luzern.
Kthimi në Prishtinë e më tej në Mirditë, histori të zakonshme shqiptarësh.
Kthimi për në Bazel bëhet si gjithnjë nën kujdesin e Akademik Murat Ajvazit. Ndryshe me hërë të tjera, në hyrje të derës së avionit janë vendosur tre policë francez të cilët janë mjaft të vemendshëm nga dera. Nuk vonon dhe rastësia me çon në një rrjesht tresh sejdiljesh, me një të ri trupgjatë plot 2 metra e 13 cm, aq sa stjuardeshat i sygjeruan të qëndronte nga ana e sejdiles nga rrugica, jo aty ku kishte vendin nga dritarja. Nuk kaluan pak çaste kur vetë djali trupgjatë nga Prishtina na tha se policia shoqëronte pikërisht atë. Prej katër vitesh ai kishte qenë me vizë pune në Slloveni, por falë lëvizjes së lirë kishtu punuar në ndërtim në Zvicër. Kjo vërehej qartë në duart e tij gjigande plot kallo dhe të vrazhda.
Ai thotë se kishte ardhur në Prishtinë për pak ditë, ndërsa një natë më parë kishte udhëtuar drejt Zvicrës. Në Prishtinë nuk e kishte ndaluar kush, pasi dukej çdo gjë në rregull, por ndryshe kishte ndodhur në Bazel. As liberalizimi i vizave nuk kishte bërë efekt përballë policisë zvicerane, pasi viza me të cilën kishte punuar në Zvicër kishte qenë vizë pune për në Slloveni. Ndaj ishte mbajtur një natë në aeroportin e Bazelit për tu shoqëruar me policë drejt Prishtinës.
Nuk e di sa mund të më kenë dënuar për të mos hyrë në vendet e BE-së, thoshte i pezmatuar djali trupgjatë, ndërsa një vajzë prizrenase e hokatare në sejdilje me ne, duke qeshur i thoshte sikur ato 13 cm që ke ti tepër mbi dy metërshin ti kisha unë. Kështu dy orët e udhëtimit në qiell kalojnë si pa u ndjerë shumë, ndërsa sapo hapet dera e avionit pas zbritjes në Prishtinë, përsëri të dera dallojmë tre policët që marrin të parin djalin prishtinas, për këtë arsye disi të pakuptueshme.
Luzern, Switzerland: 17 – 19.02.2024.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

