Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

VLERËSIM MBI LIBRIN “2000 VJET KRISHTËRIM TE SHQIPTARËT.”

Nga Pirusti News
51 Shikime

Paulin Zefi Luzern, Switzerland: 17.02.2024.

Rajoni, në të cilin shtrihet Shqipëria dhe këtu e kam fjalën për “Shqipërinë Etnike”, e cila përfshin të gjithë arealin etnokulturor shqiptar, falë pozitës së saj gjeografike, shumë strategjike, ka shërbyer historikisht si “Porta e Lindjes për Perëndimin dhe porta e Perëndimit për Lindjen. “Duke qenë se shtrihet në udhëkryqet e qytetërimeve të mëdha, kjo ka bërë që në Atdheun tonë, qysh në Antikitet të ndërtohen rrugëkalime shumë të rëndësishme si “Via Egnatia” dhe “Via Lisuss-Naisus (Lezhë-Nish).”

Mbi substruksionet e mureve të lashta, të cilët pasqyrojnë shumë qartë nivelin e lartë të qytetërimit dhe trashëgiminë e pasur kulturore, që na e kanë lënë si dëshmi të parët tanë, janë mbivendosur më vonë struktura murale të periudhës romake, bizantine, veneciane etj. E gjithë kjo stratigrafi kaq e pasur, e cila na shfaqet para syve si një kaleidoskop historik me sipërfaqe të ndryshme reflektuese, por edhe artefaktet apo objektet e shumtë të zbuluar anë e kënd vendit tonë, e pozicionojnë popullin shqiptar mbi një piedestal të lartë nderi në mesin e kombeve të Botës së qytetëruar.

Një element tepër i rëndësishëm, madje përcaktues, që e konsolidon dhe e çimenton pozitën e privilegjuar të popullit tonë është pikërisht fakti që paraardhësit tanë ilirë e përqafuan masivisht dhe e kultivuan Besimin e Krishterë qysh në fillimet e lindjes së tij, pra në atë që njihet si Krishtërimi Apostolik. Është vetë Shën Pali, në letrën e tij drejtuar romakëve, “Romakët: 15:19”, në gjuhën Latine, i cili pohon se e ka përhapur Ungjillin e Krishtit, që nga Jeruzalemi e deri në Iliri: “In virtute signorum, et prodigiorum, in virtute Spiritus Sancti: ita ut ab Hierusalem per circuitum usque ad Illyricum, repleverim Evangelium Christi.” Krishtërimi, i cili përfaqëson trashëgiminë më të rëndësishme shpirtërore dhe materiale të Botës Perëndimore, ka ushtruar një ndikim shumë të madh edhe në jetën shpirtërore dhe materiale të popullit tonë, duke na pasuruar me vlera të spikatura qytetëruese.

Mirëpo, nga ana tjetër, jemi vetë ne si popull, që kemi kontribuar dhe sakrifikuar për Krishtërimin dhe Qytetërimin Perëndimor, ndoshta më shumë se çdo popull tjetër! Kur, si dhe pse?!… Përgjigjet e argumentuara të këtyre pyetjeve kaq përgjithësuese është tepër e vështirë për t’i përmbledhur të gjitha në një studim të vetëm, duke paraqitur një sintezë të plotë dhe përfundimtare. Në pamje të parë, edhe sot që po flasim, duket jo vetëm si një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe një mision i pamundur! Prandaj, ajo çfarë ka ndodhur para 26 vitesh në Simpoziumin e madh Shkencor, që është mbajtur më 5 dhe 6 shtator të vitit 1998 në qytetin Arbon, këtu në Zvicër, dhe më pas botimi i këtyre materialeve në vitin 2023, janë ngjarje aq të rëndësishme, që i tejkalojnë kufijtë e përmasave kombëtare.

Atë çfarë duhet të kishin bërë prej kohësh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e kanë bërë pikërisht Z.Kristè Coli dhe Z.Ahmet Asani, të cilët, siç e kam shprehur në Lezhë para dy muajve gjatë promovimit të këtij libri dhe tani po e perifrazoj: “Të dy këta patriotë të nderuar, janë të denjë për çdo lëvdatë!” Libri “2000 vjet Krishtërim te shqiptarët” është një botim shumë cilësor me 36 punime, ku spikasin historianë europianë me shumë reputacion, si: Noel Malcolm, Robert Elsie, Peter Bartl, Antonio Bellusci, John Mc’Caffrey, Konrad Clewing, Ercole Lupinacci, Odile Daniel e Peter Markus, por edhe emra të njohur të botës akademike shqiptare, si: Jahja Drançolli, Mark Krasniqi, Kristo Frashëri, Imzot.Mark Sopi, Ymer Jaka, Ramadan Sokoli, Gjergj Frashëri, Nikë Ukgjini, Nue Oroshi, Bejtullah Destani, Bardhyl Demiraj, Besim Morina etj.

Një kontribut të jashtëzakonshëm si gjatë punimeve të Simpoziumit dhe deri sa këto materiale studimore kanë parë dritën e botimit, e ka dhënë një personalitet me shumë autoritet në qarqet shkencore shqiptare dhe europiane, siç është Kryeredaktori i librit, Prof.Dr.Jahja Drançolli, një emër, që i bën nder dhe ja shton vlerën kësaj kryevepre. Libri “2000 vjet Krishtërim te shqiptarët”, falë informacioneve që jep dhe mesazheve që transmeton, duhet të jetë pjesë e fondit të çdo biblioteke private dhe të shkojë në dorën e çdo lexuesi të kultivuar, që dëshiron të krijojë një ide më të qartë të Arealit Kulturor dhe Qytetërimit, të cilit i përkasim. Nëse më lejohet, dua t’u shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë Z.Kristè Coli dhe Z.Ahmet Asani, për punën e tyre të shkëlqyer. Ndërsa, tani në fund, për ta mbyllur dua të shtoj se: Një vend të veçantë në panteonin e figurave të mëdha historike me përmasa botërore, të cilët luajtën një rol përcaktues për fatet e Botës së Krishterë dhe Qytetërimit Perëndimor ishin: Kostandini i Madh i Ilirisë në shek. IV dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shek. XV.

Ndërsa, përsa i përket shkallës së lartë të vuajtjeve, sakrificave vetëmohuese dhe tmerrit të përjetuar në emër të Besimit të Krishterë dhe Qytetërimit Perëndimor kanë qenë të parët tanë, të cilët për 5 shekuj me rradhë u përballën me dhunën e pashembullt të ushtruar ndaj tyre nga Perandoria Osmane, por sidomos “Etërit e Kishës Katolike Shqiptare”, të cilët jetuan e vepruan me moton “Për Atmé e Fé” dhe që kur u martirizuan nga regjimi komunist, fjalët e tyre të fundit përpara togës së pushkatimit ishin: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia!”

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest