Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Shpëtimtarët e përhershëm të çështjes kombëtare

Nga “mesitë” e dikurshëm te shpëtimtarët e sotëm, që shfaqen kudo ku lind një debat

Nga Pirusti News
2 404 Shikime
SHPERNDAJE

Ndoshta njëzet vite më parë a pak më shumë, në atë zonë që mbuloja si korrespondent i gazetës ku punoja asokohe, i shoqëruar me ndonjë përforcim mbërriti “mesia”, i cili kishte marrë përspër misionin e shpëtimit të shqiptarëve kudo ku janë. Fjalimet patetike plot sharm të kostumzinjve me kravata e faqe të kuqe nga vuajtjet shumëdekadëshe në Perëndim, u finalizuan me një drekë, siç bëhej zakonisht për argatët e thirrur për t’i dëgjuar.

Në përfundim të kësaj historie, që do të “shkruante historinë”, e thirra më të madhin e tyre për një intervistë, për ta pyetur mbi realizimin e atij misioni madhështor e historik. Sapo kamera u pozicionua përballë tij dhe unë i afrova mikrofonin, ai menjëherë filloi të recitonte pa pushim disa fraza të mësuara përmendësh, ndërsa në anët tona i thonë: të mësuara si gjeli këngën. Gjeta një moment dhe e ndërpreva për t’i drejtuar një pyetje të thjeshtë:

“A ulemi me këmbë në tokë?”, i thashë. “Flasim për qytetarët dhe jo në ajër.”

Sikur u qetësua pak, ndërsa unë nisa me pyetje direkte mbi mundësinë e realizimit të asaj që, në fakt, nuk e thoshin troç ose nuk dinin çfarë të thonin. Vitet kaluan dhe kjo nismë nuk u dëgjua më. Madje u harrua edhe nga ekspansioni, pak më vonë, i Sudes, Xhaferrit e të tjerë.

Por fenomeni nuk u zhduk. Përkundrazi, duket se ka marrë forma të reja.

Kjo lloj sëmundjeje, apo deliri, vijon edhe sot. Janë shtuar pafund “burra të shquar”, sidomos në diasporë, që kanë në modë shpërfaqjen e tyre si veprimtarë të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. Fenomeni është bërë aq i pranishëm, sa edhe kur bëhet fjalë për emigrantë që punojnë gjithë ditën në profesione që elitarët do t’i quanin të rëndomta, por që në fakt janë punë të pastra, të ndershme dhe të vlerësuara, në jo pak raste ndeshesh me situata komike.

Nëse e prezanton apo shkruan për dikë duke e cilësuar si veprimtar të diasporës me ndikim në art, kulturë apo trashëgimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mund të kundërshtohesh menjëherë: “Jo, unë jam veprimtar i çështjes sonë kombëtare.”

A thua se kombi është në atë fazë që gjithkush duhet të shfaqet si shpëtimtar i tij?

Dhe këtu problemi nuk është puna, profesioni apo vendi ku jeton dikush. Përkundrazi. Të punosh, të krijosh, të ruash kulturën, të ndihmosh komunitetin, të kontribuosh në art, arsim, histori apo trashëgimi, janë të gjitha vlera. Problemi nis kur kontributi personal nuk mjafton më dhe duhet patjetër të shndërrohet në një mision madhor kombëtar, ndërsa vetë personi në një lloj shpëtimtari të radhës.

Një situatë e tillë nuk është më pak e shfaqur edhe brenda vendit.

Pak ditë më parë, në një “nejë” intelektualësh me emër, diku në Tiranë, shfaqet si era një pjesëtar jo pa peshë i kësaj organizate që çdo mision e ka në fokus, përveç politikës.

“Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr, shqiptar mos rri, po duku shqiptar…” ishte kryefjala e Çajupit të ditëve të fundit, por tek ky artikulohej me një ndryshim të vogël: “Shqipërinë e mori Izraeli, shqiptar…”

Kur të tjerë pjesëmarrës i kujtuan se aty ishin në një organizim tej politikës, patrioti tundi dosjen dhe u largua, pasi kishte cituar se edhe këta burra me moshë duhej të ngriheshin, së paku, për të kryer atë që askush nuk e do: rolin e instruktorit të sjelljeve aspak qytetare, duke denigruar këtë protestë të drejtë dhe të mirëpritur.

Por le të zhvendosemi më tej, në vendin ku e nisëm këtë histori.

Jo shumë muaj më parë, nisi dhe u shua pa nisur mirë një nismë për bashkimin e Mirditës. Pak kohë më vonë, shpëtimtarët thanë se duhet të kapim armët për të shpëtuar atë që kishte mbetur, sepse, sipas tyre, ekzistonte një plan për ta shkrirë e tjetërsuar. Një klikim i thjeshtë mjaftonte për të kuptuar se ajo që po denoncohej me aq zhurmë, në fakt, as nuk ishte diskutuar. Dhe ndërsa kjo histori u harrua, çuditërisht, historia nuk na lë pa shpëtimtarë të rinj.

Këtë herë skena është përsëri Mirdita.

Bashkia Mirditë lançon një apo disa nisma nisma për energjinë e erës, me apo pa turbina, dhe menjëherë shfaqen shpëtimtarët. Tashmë armiku është zbuluar. Ka emër dhe mbiemër. Ai këtë radhë na qenka Kryetari i bashkisë. Nisma të tilla, ndërkohë, janë realizuar prej kohësh në vende të tjera të botës. Madje është bota ajo që mund të habitet se përse ne ende nuk i kemi realizuar. Por kjo nuk i pengon shpëtimtarët e shkurreve që në të vërtetë digjen gjatë verës, të na shpëtojnë edhe nga mullinjtë e erës.

Këtu ironia bëhet edhe më e madhe. Sepse nuk është më çështja se kush ka të drejtë apo kush gabon për një projekt të caktuar. As nuk është çështja nëse “mullinjtë” e erës janë të mirë apo të këqij. Çështja është mënyra se si çdo zhvillim, çdo nismë, çdo debat dhe çdo shqetësim lokal mund të shndërrohet brenda pak orësh në një betejë kombëtare, ku dikush duhet të shpallet armik dhe dikush tjetër shpëtimtar.

Dhe kështu, nga një “mesia” që dikur vinte nga larg me misionin për të shpëtuar shqiptarët, kemi mbërritur te shpëtimtarët që i gjejmë kudo: në diasporë, në Tiranë, në Mirditë, nëpër organizata, nëpër mbledhje, nëpër protesta e tashmë edhe përballë mullinjve të erës. Ndoshta nuk kemi pasur kurrë kaq shumë shpëtimtarë.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: sa më shumë shtohen shpëtimtarët, aq më shumë duket se situata jonë ka nevojë të shpëtohet. Ndoshta do të ishte mirë që, për një çast, të gjithë këta burra e gra të mëdha të çështjes kombëtare të uleshin pak me këmbë në tokë.

Jo për të hequr dorë nga atdheu.

Por për të kuptuar se ndonjëherë kontributi më i madh për vendin nuk është të shpallësh veten shpëtimtar, por thjesht të bësh mirë punën tënde.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest