Luftë me shkronja e me marshinë*
—- (Bibë Gjetës*)
Gjyshi em s’ka ditë me kallzu prralla,*
ka ditë me tregu do kuvende fort t’rralla
qysh ka kërsitë pushka me gjerman e hasëm,
e kanë marrë Plak për Gjak e krushk për dasëm.
Krushk i parë e faqebardhë,
në Prosek ka hap’ shkollë të parë,
i ka nitë fjalës si flamur n’kshtjella
si rri Mirdita, e si rri Kthella.
Si Kthellas t’njef Kanuni e Mirdita,*
o t’ka njoft Kapedani Bardhok Biba,
t’ka njoft n’luftë e t’ka njoft Msus
e për kushrenën t’ka hy shkus,
për të Bardhën Princeshë Dukagjini
fort i ka pëlqy Kapedanit miqsimi.
Penën në dorë, pushkën në shpinë,
luftë me shkronja e me marshinë,
fis Gjegj-Mark or Bibë Gjeta
me men o flakë dahet bleta*!
Shpi Pune e Shpi Pushke o çlirimtar,
jeta s’t’dhemet o përkrenar,
jetën për dy gisht nder në ballë
e ke si Msus i Parë e luftëtar,
mbetesh arsimtar, pishtar i gjallë!…
Andris Lleskai
9or22
Marshinë* – lloj pushke luftarake
Vargu i parë nuk mund të thuhet me siguri, por përderisa Gjyshja ime nuk di asnjë përrallë, mund të merret si i mirëqënë hamendësimi se edhe Gjyshi s’ka ditur të tregojë përralla.
Bibë Gjetë* Ndue Nkollë Gjegjë Marka Gjegjë Marka Gjegja (në këtë brezni është marrë dhe llagapi “Gjegj-Mark”) ose shkurt: Bibë Gjetë Lleshaj.
T’njeh Kanuni e Mirdita* – Neni 659 i kodit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, botim i vitit 1933 i njeh Kthellasit si të parët e krahinës së Mirditës e Malësisë së Lezhës: “Me ardhë per mik i Ohërnjani* (i Thkellas) a në Mirditë a në Malsi të Lezhes e me ndollë aty edhè kush i Gjomarkaj, kryet e vendit e xên i Ohërnjani, mandej i Gjomarkaj- (Ket pûnë s’e bân kush prej nderjet.)”
Shënim shtesë: i Ohërjani* – Kthellasit konsideroheshin deri vonë Ohërjanë ngase në ndarjen territoriale të Perandorisë Osmane u përfshinë në Sanxhakun e Ohrit. Ata iu bashkuan shumë vonë bajrakëve të Mirditës, dhe pse në kulturë, gjuhë, veshje, e doke, ishin në një kompaktësi të pandashme me ta.
Bleta* – e vetmja gjallesë (përpos njeriut) që në kulturologjinë shqiptare respektohet deri në atë pikë sa në fund të jetës së saj nuk thuhet se ”ka ngordhur”, por “ka vdekur”; duke e ngritur në një kult nderimi të mëvetqëm e të patjetërngjashëm.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”