Pianisti i tasteve të bardha
—- ( 13 zanorësh )
Në fundjavë të njoha, ishe në orkestër,
në piano luaje ndër të bardhat taste,
sot më sollën video me “Marshin Funebër”*,
ende pa u përmbushur ditët e një jave.
“Këtu s’do jem, do jem larguar,
në tokë i tretur si të tjerët… “*
Kënduam bashkë në atë mikrofon të zi,
me vargjet e Dritëroit e tallëm vdekjen,
me muzikë e këngë, duke ngritur dolli,
me valle e vargje, triumfuam mbi jetën.
Botën gjithnjë e ka zbukuruar një artist,
më shpirtin e tij u ka ushqyer Dashuri,
siç di ta bëjë një Poet, e një Pianist,
duke falur energji e falur alegri.
Ti do çaste të bardha ndër tinguj më fale,
më bëre të harroj që jam thjeshtë një njeri,
me magjinë e muzikës dhimbjen ma ndale,
më përngjite në qiell, më bëre perendi.
Gjithë jetën këtë ka bërë një Pianist,
me tastierën e tij shpirtrat lartësuar,
njerëzit ka ngritur në lartësi perendish,
e me muzikë shpirtrat ua ka shëruar.
“Tani këtu Ti më s’do jesh, do jesh larguar…”
se Fati deshi t’të jepte të zezat taste,
por për mua mbetesh Artist i paharruar,
do të të ruaj në zemër, e në këto vargje.
#AndrisLLESKAI
0123
Marshin Funebër* – Frederic Chopin “Marcha Funebre”.
Vargjet* – Dritëro Agolli “Kur të jesh mërzitur shumë”.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”