(12 Qershor 1995 – 12 Qershor 2025)
Në këtë kthesë të mprehtë, në zemër të një rruge që sot duket e qetë, pa asnjë pllakë përkujtimore, 30 vite më parë – më 12 qershor 1995 – u ndërpre fryma e jetës për gjashtë bashkëqytetarë tanë mirditorë.
Një aksident i rëndë me një automjet tip IFA la pas dhimbje, lot dhe një kujtesë që ende sot mbetet e gjallë në zemrat e komunitetit tonë. Kjo tragjedi mbetet një plagë që nuk ka si të harrohet!
Në atë ditë të zezë, personeli mjekësor i Spitalit të Rrëshenit tregoi përkushtim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Ata u gjendën menjëherë në gatishmëri të plotë, duke shpëtuar jetën e shumë të plagosurve. Një ndërhyrje e ngjashme me atë të vitit 1975, kur po ky spital përballoi tragjedinë e studentëve tropojanë, me tri viktima.
Aktivitetet përkujtimore të organizuara për atë ngjarje dëshmojnë për vlerat humane dhe solidaritetin ndërmjet mirditorëve dhe tropojanëve. Por, për tragjedinë e Gëziqit – për fat të keq – flitet pak, ose aspak.
E kujtoj me emocion atë ditë të dhimbshme, kur drejtoja Spitalin e Rrëshenit. Aksidenti ndodhi poshtë shkollës së Gëziqit, duke shkaktuar humbjen e menjëhershme të gjashtë jetëve. Organizimi i pritjes, trajtimit dhe përkujdesjes ishte heroik: manipulimi i plagëve, ndërhyrjet kirurgjikale, reanimimi i të plagosurve rëndë, si dhe përgatitja e 11 pacientëve për transport me helikopter drejt Tiranës – të shoqëruar me perfuzione dhe gjak për trajtim të specializuar.
Mobilizimi i personelit ishte mbresëlënës. Me përvojë, guxim dhe përkushtim, mjekët dhe infermierët bënë mrekullinë. Disa prej tyre që duhet përmendur me respekt të veçantë janë:
- Dr. Gjovalin Bushi, kirurg i talentuar
- Dr. Bardhok Doda, kirurg me përvojë
- Dr. Preng Simoni, reanimator i shkëlqyer
- Dr. Zef Prenga, Dr. Simon Kala, Dr. Pjetër Pjetri, i ndjeri Dr. Kol Doda, Dr. Fran Biba
dhe shumë punonjës të tjerë të Spitalit të Mirditës.
Mirënjohje pa fund për personelin e mesëm të urgjencës, të radiologjisë, laboratorit, pavijoneve dhe sallës së operacionit. Falënderim i veçantë për të ndjerin Rasim Marku, që me ambulancën e tij ishte hero i heshtur i asaj dite – ditë kur helikopteri zbriti 11 herë në fushën e sportit.
Aksidenti i 30 viteve më parë, ndonëse i harruar në përkujtim zyrtar, është një dëshmi e gjallë e shpirtit të sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit të bluzave të bardha. Spitali i Rrëshenit, me kapacitetet e kufizuara të kohës, u shndërrua në një vatër shprese dhe shpëtimi.
Mjekët, infermierët dhe gjithë personeli punuan pa orar, me vetëmohim të plotë, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej. Falë reagimit të shpejtë dhe kujdesit të tyre, 11 të plagosurit e transportuar me helikopter në Tiranë i mbijetuan tragjedisë. Ishte një fitore e jetës përballë vdekjes.
Në këtë përvjetor, përkulemi me respekt dhe dhimbje për 6 personat që humbën jetën. Kujtimi i tyre mbetet i paharruar, ndërsa mirënjohja jonë për të gjithë ata që atë ditë u bënë mburojë jete është e përjetshme.
Dritë u bëftë shpirti i tyre!
Nderim bluzave të bardha!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

