Nga arkiva. Botuar në gazeten “Tirana Observer” nentor 2007.
Udhëtim përmes gjurmës së rrugës, në segmentin Rrëshen-Fan.
Rrëshen. Rruga Durrës-Kukës prej kohësh është kthyer në mollë sherri mes krahëve të politikës. Shumë prej politikanëve në të majtë dhe në të djathtë, ndonëse e lakojnë atë në të gjitha rasat, në asnjë rast nuk e kanë marrë mundimin për të parë se çfar bëhet në luginën e lumit Fan, i cili në një gjatësi të konsiderueshme është udhërrëfyese e kësaj rruge. Madje po shumë prej politikanëve as nuk e kanë parë kurrë atë vënd ku punohet dhe vetëm punohet. Debatet e zjarrta nëse aty po vidhet apo nuk po vidhet, janë shumë larg prej këtij vëndi ku mali shumëshekullor i është nënshtruar mjeteve nga më të fuqishme të llojeve dhe markave nga më të ndryshmet. Kjo është “shkelja” e parë e dallueshme që është bërë, pasi në krahun e majtë të luginës që nga eksploratori i shquar austriak i viteve 20-të, Fabian Barcata është quajtur si “lugina më e bukur në botë”, krenaria shumë shekullore e natyrës ka filluar që të ndryshojë formë. Traseja kalon në rrëpira të forta, ndonëse paralel me rrugën egzistuese, ajo është shumë poshte saj, madje në shumë vënde në të njëjtin nivel me shtratin e lumit Fan.
Në trasenë e rrugës.
Edhe ata që kanë rrugën në segmentin egzistues të rrugës e kanë të pa mundur që të shikojnë se çfar ndodh në të vërtetë në këtë segment rrugor. Kjo sepse vetë konsorciumi Bechtel-Enka ka rregullat e saj, sidomos të sigurisë. Që një “i huaj” qoftë edhe gazetar i cila ka në dorë ligjin mbi të drejtën e informimit, duhet që të sigurojë një lejë konfirmimi që mund të zgjasë edhe një javë. Rrugët hyrëse të bëra enkas për në kantiere janë të siguruar nga rojet me rregullat e tyre. Kjo sepse në çdo moment mund të ndodhin shpërthime nga më të fuqishme të cilat edhe mund të sjellin pasoja nga shkelja e këtyre rregullave.
Në fshatin Ndërfanë pak metra nga vëndi i quajtuar Ura e Fanit, ka filluar që të ravijëzohet edhe traseja e segmentit ndër më të vështirët e kësaj rruge. Pikërisht këtu rruga vetëm sa është gërvishur pasi edhe terreni është më i butë. Diku aty nga kilometri i shtatë që i korespondon fshatit Gëziq, situata është mjaft e vështirë. Firmës ndërtuese Bechtel-Enka, dhe nënkontraktoreve të saj, u është dashur që të hapin shumë rrugë lidhëse për të zbritur në “fushën e betejës”. Në shumë vënde janë hapur trase të zgjeruara ku me dhjetra traktorë dhe mjete të tonazheve të rënda lëvizin pa pushim. Tashmë në shumë vënde, në segmentin nga më të vështirët në Ballkan ka fillur të shfaqet traseja. Janë me mijëra ton dhera që kanë zënë vënd për mbushje, mijëra metër kub male që janë shuar, ndërsa pritet që të fillojë nga puna ngritja e urave të cilat do të lidhin trasenë në vëndet e parashikuara.
Te ura.
Në afërsi të urës së Repsit, disa makineri po punojnë për ndërtimin e këmbave të njërës prej urave nga më të mëdhatë të këtij segmenti. Në gropën që është hapur ndodhen disa punonjës me të njëtën uniforme. Njëri prej tyre që është shqiptar quhet Pjetër Vokrri. Ai thotë se punoj prej disa muajsh në këtë sektor, si shofer me një automjet të rëndë dhe pagesa është e kënaqshme. Ai na thotë se sëbashku në atë gropë tre janë shqiptarë, katër janë turq dhe një amerikan. Të gjithë kanë të njëjetën uniformë dhe është mjaft e vështirë që ta dallosh kombësinë e tyre. Sipas Vokrrit, makineria e rëndë ka në fund të aksit rrotullues një tub të madh të dhëmbëzuar i cili e shpon tokën në pak kohë në një thellësi të konsiderueshme. Më tej vijojnë proceset e tjera deri në përfundimin e këmbës së urës. Por Vokrri thotë se rregullat e sigurisë janë nga më të lartat. Për asnjë rast nuk mund të heqim kapelet mbrojtëse apo këpucët e posaçme pasi në të kundërt, mund të marrim karton të kuq. Nëse gjatë një muaji merr tre të tillë përjashtohesh në mënyrë automatike nga puna.
Më tej përgjatë gjithë luginës së Fanit në afërsi të Repsit punohet kryesisht në ura. Qindra makineri venë dhe vijnë, të gjitha me një destinacion të caktuar. Prej muajsh qyteza e përgjumur e Repsit është bërë ndër më të poulluarat në veri. Qindra punonjës me kombësi nga më të ndryshmet janë akomoduar në qytezën – kamping të ngritur nga Bechtel-Enka.
Në qytezën e Repsit.
Ajo është ndërtuar enkas për punonjësit e rrugës e pozicionuar poshte qytetit të vjetër, shumë pranë rrjedhës së lumit Fan. Në të hyrë të qytezës roja të ndalon dhe pasi të mban pasaportën ose një dokument identifikimi të pais me një karton me varëse për në qafë, ku në të shënohet një numër. Pasi kalon portën e këtij qyteti në miniaturë por që brënda tij gëlojnë rreth 2000 punonjës me profesione nga më të ndryshmet, të shfaqet para syve një ansambël disi i pa parë në qytetet e vëndit tonë. Ndonëse këtu janë kujdesuar deri në detajin më të vogël për një jetë sa më normale, sheshi kryesor është i mbushur me fuoristrada të bardha që thuhet se janë rreth 60 të tilla. Shoferët qëndrojnë në gatishmëri për ç’do rast kur kërkohet që ato të vihen në shërbim. Ajo çfar bie në sy me shumë në këtë parking janë disa autobuzë të gjatë të sjellë enkas nga Amerika. Thuhet se për një kohë të gjatë ato kanë udhëtuar me traget nga Amerika deri në Pire. Me tej ata kanë ardhur në rrugë tokësore, janë zhdoganuar dhe paisur me dokumentacionin përkatës në përputhje me ligjet e vëndit tonë. Shumë prej tyre lëvizin në segmentet e kësaj rruge duke transportuar punonjësit nga qëndrat e punës për në kamping. Ndërsa dy të tillë sjellin punonjës nga Tirana për në Reps dhe i ridërgojnë sërish në Tiranë.
Nëse ka njeri që i mungon prej ditësh rrugëve të qytetit të Rrëshenit, fare lehtë mund ta kërkosh dhe ta gjesh pikërisht këtu. Shumë shoferë, mekanikë, tornitorë janë punësuar në këtë vënd. Megjithatë në këtë shesh mund të shijosh tingujt e disa prej gjuhëve të botës, kryesisht anglisht dhe turqisht.
Paulin Laska, nga Rrësheni është shofer në njërin nga mjetet që gjënden aty. Ai thotë se qëndroj në gatishmëri, dhe kur të ketë punë ndez menjëherë fuoristradën. Gjatë kohës kur nuk jemi në punë qëndrojnë duke biseduar me kolegët duke pirë kafe ose çaj të cilat ofrohen falas dhe pa limit. Ai thotë se pijet alkolike janë kategorikisht të ndaluara, dhe nëse dikush arrin të fusë një të tillë, largohet menjëherë nga puna. Laska thotë se kushtet e jetesës këtu janë shumë të mira. Dhomat e fjetjes janë me kondicionerë dhe mjaft të pastra. Në asnjë rast nuk mungon uji dhe dritat. Drejtuesit e firmës janë kujdesur për sinjal televizori, interneti etj. Madje këtu nuk mungojnë edhe ambientet e tjera të çlodhjes dhe argëtimit.
Në njërën nga godinat janë vendosur zyrat e administratës. Në katin e parë të saj, në një sallë të madhe janë me dhjetra punonjës, inxhinierë, teknikë juristë etj. Të gjithë përpara kompiuterave të lidhur përmes internetit marrin e japin në punën e tyre. Janë kryesisht të rinj dhe të reja të cilat kanë mbërritur në këtë vënd nga Tirana, Lezha por më së shumti nga Mirdita. Në hyrje të saj recepsionistja është nga qyteza e Repsit. Një vajzë plot energji që njeh mirë gjuhen angleze, mban lidhje të drejtpërdrejta me përgjegjësen amerikane të kësaj zyre, me emrin Lili, e cila në ç’do moment gjëndet e angazhuar dhe në komunikim me eprorët amerikanë të cilët janë përgjegjësit për ndërtimin e kësaj rruge ndër më të vështirat në Ballkan.
Drejt komunës së Fanit.
Rruga për në komunën e Fanit ndër më të vështirat në Mirditë, tashmë është shumë e mirmbajtur. Kanë qënë vetë drejtuesit e firmës Bechtel-Enka, të cilët kanë ndërhyrë për reabilitimin e saj, jo vetëm për tu ardhur në ndihmë komunitetit por pikërish aty kalojnë makineritë e tyre për në frontet e punës. Gjatë gjithë këtij segmenti po punohet pa pushim kryesisht në ura. Në shumë vënde është ndërprerë rruga egzistuese por ndërtuesit e rrugës janë kujdesuar që kalimi të mos pengohet. Në fshatin Shtrungaj është edhe kantieri më i madh në këtë segmet. Disa traktorë të rëndë kanë përpirë malin duke përftuar një shesh të madh ndërtimi. Njëri prej traktoristëve nga Lezha, thotë se kam punuar gjithnjë me mjete të tonazhit të rëndë. Por pagesa është jo shumë e kaqëshme. Ndonëse kemi kushte të mira 140 lekë ora i bie që ne të marrim në ditë vetëm 1400 lekë gjithësej. Shiu që sapo ka filuar ka mbledhur në një çadër punonjës shqiptarë dhe turq. Rruga që do të bashkojë dy pjesët e të njëtit komb, duket se më parë ka bashkuar ndërtuesit nga kombësi të ndryshme.
Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”