Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Greva e Rubikut 74 vite më parë dhe absurdi i sjelljes ndaj minatorëve të Bulqizës

Opinion në “Tirana Observer” (16 gusht 2011)

Nga Pirusti News
11 253 Shikime
SHPERNDAJE

Në fillim të muajit gusht të vitit 1937, plot 74 vite më parë, minatorët e minierës së Rubikut u hodhën në një grevë të fuqishme, në të cilën kërkonin kushte më të larta sigurie për jetën dhe rritje të pagave. Siç tashmë është e ditur, administratori italian i kësaj miniere, pas disa rezistencave burokratike, u detyrua të pranonte të gjitha kushtet e vendosura nga minatorët në protestë.

Ky kapitullim i administratorit italian u shënua si një ngjarje historike e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri, dhe pikërisht për këtë arsye, edhe sot, në hyrje të qytetit të Rubikut ndodhet një përmendore që përkujton këtë fakt.

Por, për çudi, sot pas 74 vitesh, 14 minatorë të Bulqizës prej shumë ditësh kanë zgjedhur formën më ekstreme të protestës, duke u ngujuar 1 400 metra në thellësitë e nëntokës, aty ku deri pak kohë më parë punonin për të nxjerrë mineralin e kromit për llogari të kompanisë së huaj ACR. Kjo ngjarje e rëndë e ka tejkaluar ekstremisht protestën e minatorëve të Rubikut, ndërkohë që administratori i ACR-së nuk ka lëvizur nga istikami i tij.

Duke parë me vëmendje qëndresën e ACR-së dhe talljen që u bën minatorëve të ngujuar, duke e zhvendosur debatin jo te kërkesat e tyre, por te vendi dhe koha se ku duhet të zhvillohen negociatat, bëhet e qartë se kompania ka siguruar mbështetjen e institucioneve shtetërore, ose të paktën heshtjen e tyre.

Ata nuk e kanë aspak problem shuarjen e jetëve të minatorëve të ngujuar, sepse këtë “provë” e kanë kaluar me sukses dy vite më parë, kur pikërisht në këto tunele vrastare humbën jetën 16 minatorë, madje disa prej tyre brenda një muaji.

Askush nuk u shqetësua për vdekjet tragjike të minatorëve Avni Duriçi, Besnik Alliu, Zaim Hysa, Hysen Elezi, Medi Jani, Sami Doga, Hekuran Gjata, Njazi Alliu, Përparim Haslika, Haki Kotja, Hamit Bulqiza, Ivzi Veseli, Nevruz Gjoka, Mehmet Rama, Arjan Duva etj.
Këta janë emrat e minatorëve të Bulqizës që humbën jetën për llogari të mafies së kromit, duke lënë pas rreth 35 fëmijë jetimë.

Po ashtu, edhe numri i të plagosurve rëndë, të cilët kanë humbur gjymtyrë, është edhe më i madh, ndërkohë që në këtë listë përfshihen gra dhe fëmijë. Të gjithë këta humbën jetën apo u gjymtuan vetëm për shkak të nivelit të ulët të sigurisë në punë, dhe askush nuk u vu para përgjegjësisë, qoftë edhe formalisht.

Të gjithë këta janë viktima të D’Arfo-ve, ACR-ve, Ketëve, Rrulëve & Co. Ndërkohë, sot janë mbushur 20 ditë grevë, e cila, nëse vazhdon, rrezikon të zgjerojë edhe më tej listën e gjatë të vdekjeve në nivelin 14 të minierës së kromit.

Kjo është një arsye e fortë për të besuar se minatorët e ngujuar mund të lihen të shuhen, pa u shkaktuar asnjë shqetësim administratorëve të minierës.

Të gjithë ata që kanë interesa të forta në këtë kontratë të dyshimtë me ACR-në, nga ambientet me kondicionerë, u bëjnë thirrje minatorëve të ndërpresin grevën, ndërkohë që firma analoge e 74 viteve më parë nuk ka dhënë asnjë shenjë dialogu. Madje, segmente të pushtetit sajojnë alibi për “dëmtim të minierës” dhe flasin hapur për nxjerrjen me forcë të minatorëve nga vendngujimi.

Askush nuk guxon as ta përmendë firmën ACR, e cila, me një sjellje të paturpshme përballë situatave vdekjeprurëse, guxon të përcaktojë se kush duhet të marrë pjesë në negociata, duke kërkuar mënjanimin e kryetarit të sindikatës, z. Kol Nikolli, dhe duke tentuar të përfshijë kryetarin e Bashkisë Bulqizë, z. Roland Keta.

Kjo lojë është aq e trashë, sa edhe më i painformuari e kupton se synimi është mashtrimi i minatorëve, ashtu si edhe herë të tjera. Z. Kol Nikolli, inxhinier minierash me përvojë të gjatë në nëntokën e Mirditës dhe drejtues sindikal konsekuent, nuk është i manipulueshëm, ndryshe nga figura politike që janë përfolur më herët për lidhje me kontrollin e minierave.

Ndërkohë që opinioni publik zien, më shqetësuese është heshtja e kryeministrit, ndërsa faqet zyrtare të kryeministrisë njoftonin me entuziazëm se ai paska thyer “rekorde noti”, një “lajm” absurd përballë dramës që po zhvillohet në Bulqizë.

Po aq absurde është edhe heshtja e ish-ministrit të Ekonomisë, z. Genc Ruli, firmëtar i marrëveshjeve diskriminuese për këtë minierë, në ditë kur “Parlamenti ishte me pushime”. Ashtu si bosët e dikurshëm të mafias që ngujoheshin në manastire për t’u pastruar nga mëkatet, edhe ai ka “zgjedhur” Ministrinë e Bujqësisë për të heshtur larg vëmendjes publike.

Sidoqoftë, minatorët e Rubikut, edhe pse 74 vite më parë, sot japin një mbështetje të fortë morale për grevën e minatorëve të Bulqizës. Ata dëshmuan se çdo administrator, vendas apo i huaj, pa mbështetje të dyshimtë qeveritare, dorëzohet dhe pranon kushtet që u takojnë minatorëve.

Aleksandër Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest