Nga Aleksander Ndoja
Botuar në “Tirana Observer”, datë 27.09.2013.
Nëse këto ditë ndodhesh rastësisht në orën 8 të mëngjesit para godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do të duket vetja se je zhvendosur në kohë, dhe fjala vjen, je përpara kombinatit të dikurshëm të auto-traktorëve. Janë plot 820 policë dhe drejtues që çdo ditë hyjnë dhe dalin në këtë institucion, çka krijon idenë e një ndërmarrjeje të madhe të kohës së komunizmit. Ndërrimi i stafit drejtues në Ministrinë e Brendshme dhe ardhja në krye të këtij dikasteri të z. Saimir Tahiri, ka bërë që të gjithë ata që marrin pagën në këtë drejtori të jenë më të kujdesshëm në respektimin e orarit të ardhjes në punë dhe qëndrimit në zyra. Kjo situatë ka nxjerrë në pah këtë fakt mjaft të çuditshëm, pasi vetëm tani është mësuar se numri i punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Shtetit është mjaft i konsiderueshëm, pra plot 820 veta.
Burime të sigurta pranë kësaj drejtorie konfirmojnë se brenda godinës gjatë gjithë ditës janë të stacionuar jo më pak se 650 veta, ndërsa pjesa tjetër që plotëson numrin prej 820, punojnë në disa sektorë të tjerë vartës, që kanë lidhje direkt me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Është e habitshme se si 650 zyrtarë policie kanë mundur të gjejnë hapësira për zyra, edhe pse godina aktuale e Drejtorisë së Policisë është vendosur në ish-hotel “Arbana”, i cili që në ndërtimin e tij ka qenë dizenjuar si hotel për kinezët që punonin në vendin tonë, në kuadër të miqësive komuniste të kohës. Të gjithë u drejtohen kompjuterëve, por më fatlumë janë ata që i kanë të lidhur me internet, edhe pse shumica e tyre hyjnë fillimisht në Google për të gjetur se ku është Facebook-u.
Po çfarë produkti i ka sjellë rendit publik një skemë e tillë e përqendrimit të policisë?
Një specialist i mirinformuar, me një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit shqiptar, i pyetur në lidhje me këtë situatë, thotë se, nëse do të pyetej ai, ajo godinë nuk duhet të mbajë më shumë se ¼ e numrit aktual, pra jo më shumë se 200 të tillë. Kjo situatë ka bërë që hapësirat e frekuentuara nga krimi të jenë tërësisht të pambuluara, ndërsa ka një përqendrim të madh brenda një godine. Duke vijuar më tej, specialisti i policisë thotë se numri i policëve duhet të shtrihet më shumë drejt vendit ku ka premisa për krim, duke veçuar lart efikasitetin e madh që ka punëtori i policisë së zonës, nëse ai mbështetet më shumë me logjistikë dhe kompetenca, por dhe elementë detyrues për ta bërë detyrën që i takon sa më mirë. Referuar situatës së viteve të fundit, kjo skemë ka rezultuar tërësisht e dështuar, e provuar kjo jo vetëm me rritjen drastike të kurbës së krimit në të gjithë elementët përbërës të tij, por edhe rritjen galopante të aksidenteve, me pasoja të rënda në jetë njerëzish.
Reforma, sidomos njerëzore, për sa i përket shpërndarjes së efektivave nëpër komisariate, është bërë duke pasur parasysh numrin e popullsisë, por nuk është marrë aspak parasysh shtrirja territoriale. P.sh. në Mirditë, e cila ka pasur një zbrazje të konsiderueshme të popullsisë në kuadër të migrimeve drejt zonave të tjera më të buta të vendit, nuk është marrë parasysh aspak shtrirja gjeografike e kësaj treve, pasi edhe se ka pasur zbrazje në një përqindje të caktuar, prapëseprapë e gjithë zona është e banuar. Për pasojë, prej vitesh i është vënë kyçi postës së policisë së qytetit Rubik, madje ajo është e mbuluar nga ferrat. Po kështu, nuk ka asnjë shenjë policie në zona të tjera, ndërkohë që vetë Komisariati i Policisë Rrëshen është kthyer në një postë të zakonshme policie, pa mbështetje logjistike, e lënë pas dore për mjete të cilat duhet të shkojnë edhe në fshatra të thella me terrene të vështira. Madje edhe ato pak mjete janë lënë pa karburant, duke krijuar jo vetëm situata komike dhe të dokumentuara në video të shumta që qarkullojnë në rrjete sociale, por pikërisht për shkak të problematikës së shfaqur me mjetet, shumë krime nuk janë zbardhur, madje nuk u është dokumentuar asnjë provë. Një gabim i rëndë konsiderohet suprimimi i mekanikut që kujdesej për këto mjete, thjesht për të kursyer një pagë të zakonshme, kur këto paga sfumohen pa u ndjerë në godinën 820-anëtarëshe të drejtorisë.
Rasti më flagrant ishte para disa kohësh, kur në mesnatë një fshatar i telefononte 139 se një furgon me hajdutë po zbriste nga fshati i tij përmes një rruge të vetme që e lidh me qytetin, por nga ana tjetër e telefonit polici i shërbimit, roje, nuk mund të niste mjetin pa karburant për t’i ndaluar ata.
Po ashtu, vetëm pak ditë më parë, gjatë një grabitjeje në një banesë në fshatin Geziç, përkushtimi i fortë i specialistëve të policisë së Mirditës është “sabotuar” keqazi nga mospasja në dispozicion të një qeni nuhatës. Është dashur të lajmërohej Lezha për një të tillë, por edhe blutë e Lezhës kanë shkuar deri në Shkodër për të marrë hua një qen të tillë, për t’i dhënë zgjidhje situatës.
Të gjithë e kujtojnë se deri para pak vitesh një qen i Komisariatit të Mirditës kishte gozhduar të gjithë grabitësit e kosovarëve në segmentin që lidhte Rrëshenin me Kukësin, i frekuentuar dendësisht nga kosovarët. Por, për arsye krejt politike të para 8 viteve, u ndryshua instruktori i qenit dhe, për pasojë, vetëm pak muaj më vonë qeni ngordhi, duke bërë që elementi kriminal të trimërohej dukshëm. Pra, duke iu referuar fakteve, statistikave dhe shifrave të frikshme të kriminalitetit, është koha për të kuptuar se reforma e deritashme, të paktën në disa elementë të saj, është tërësisht e dështuar, çka detyron korrigjimin sa më të shpejtë të saj.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

