Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Alma JAKU/ Vezët Trime

Nga Pirusti News
2 323 Shikime

Mbaj mend kur isha fëmijë, nëna më sillte për Pashkë vezë të ngjyera me gjithfarë bojrash e te shkruara me emrin tim të pikturuara nga nxënësit e saj. Unë sot do i quaja vezë trimërie e besimi! Si mund të jetë një kokërr vezë trime?! Mund të pyesni ju. Trimëresha e butë dhe e hijshme Zadrimë, ndër shekuj ruajti besimin e saj në Zot, kaluan pushtimet osmane dhe prapë u lëvdua Krishti, përjetoi sistemin komunist dhe përsëri i luti Pashkët . Aty në vendin e bukur “ Pertej Drinit “ sado u shkel me këmbë toka nga ligësia , lulet e bukura e ngritën kryet sërisht me forcën e farës së pastër .Duhet ta kenë dashur shumë nënën time ata fëmijë, që në atë kohë kolere, i besonin aq shumë sa t'i dhuronin vezë “trimërie” për mua ! Në vitin 1991, mëngjesin e parë të Pashkës së lirë, gjyshja ime e mirë, me thirri në dhomën e saj. Me shëndet Pashkën Almatinë më tha: duke me zgjatur dorën. Sytë e saj ndritnin në gëzim. Gjithmonë nën jastëkun e saj ishin një palë uratë të vjetëruara me kokrra druri, ia kisha parë shpesh tek i rrokulliste me pëshpërimë të lehtë ndër gishtat e saj të gjatë e hollakë dhe më bënte me gisht shëttt, askush s'duhet ta dinte. Sa më dhemb tani që e kujtoj atë skenë! Ajo grua e bukur elagante, me rroba të bardha mirditore, me zemër të madhe si hajdute i lutej Zotit tinëz. Çfarë mënxhyre e rëndë ajo kohë ,ti mohosh njeriut besimin në Zot !Dëgjo Almatinë më tha: sot janë Pashkët !Syve të saj shkëlqenin lotë gëzimi e dhimbjeje,janë Pashkë ndryshe bija ime, sot çdo njeriu që takon duhet t'i japësh dorën dhe t'i thuash: me shëndet Pashkët, kushdo të jetë ai, edhe nëse të ka lënduar, të ka fyer, sharë. Mbaje mend këtë! Ti duhet të falësh e mos të lejosh që hakmarrja të të bluajë shpirtin tënd të bukur. Gjithë atë ditë të bukur pranvere, unë u enda rrugëve të fshatit tim, kushedi sa herë e bëra rrugën e lagjes sime duke kërkuar njerëz për t'u thënë me shëndet Pashkët. Fluturoja nga gëzimi, kërceja, hapja krahët e rrotullohesha në ajër , isha një fëmijë i lumtur me një mision të veçantë : ti thoja fshatit tim Krishti u Ringjall !

Me Shëndet Pashkët Botë !

Shenim : Atë kohë unë isha një fëmijë i pastër që nuk kisha kë të falja apo t’i kerkoja falje, por sot që jam grua dhe në këtë Pashkë “ndryshe”, përulësisht i kërkoj falje çdo njeriu që kam lënduar dhe fal ata që më lënduan !

ALMA JAKU

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest