Botuar ne gazeten “Tirana Observer” 05.12.2011
Fundmuajin e shkuar në Parlamentin e Shqipërisë u diskutua gjatë, dhe më tej u miratua dokumenti themeltar i një viti, projekt–buxheti që do të na shoqërojë gjatë gjithë vitit që vjen. Institucionet e varura e pa varuara, por edhe vetë qytetarët si palë direkt e interesuar, zakonisht janë shumë të interesuara të shkëpusin shuma sa më të majme, por mbi të gjithë janë deputetët që me diskutimet, aleancat, lutjet apo kërcënimet, tentojnë të derivojnë investime në drejtim të zonave apo qyteteve nga vijnë, apo ku kanë interest e tyre elektorale.
Edhe banorët e Mirditës si të gjithë Shqipërisë ndoqën me vëmendje zhvillimet e datës 26 nëntor, për ndarjen e tortës prej 396.9 miliardë lekëve të buxhetit.
Ishte paradoksale, madje zhgënjyese, që të gjithë deputetët me lidhje direkte apo indirekte me Mirditën, të djathtë e të majtë, nuk prekën apo cituan asnjë problem që ka në këtë zonë, por si të ishin kryetarë partie a mbi partitë, në diskutimet e tyre nuk lanë pa evidentuar arritjet e mëdha të vendit, integrimin europian, rritjen e taksave apo indeksin e lartë të korrupsionit, problemet e Lindjes së Mesme, pse jo edhe të Lindjes së Largët, pranverës arabe, duke ju shmangur vetëm trustit të lulelakrës.
Diskutimet e shumëpritura prej tyre nuk u dëgjuan nga askush, pasi deputetët “nuk denjuan” të shfaqeshin si mirditas, dhe as të merreshin me problemet e shumta të kësaj zone.
E nderuar Kryetare e Kuvendit!
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare…
Të nderuar deputetë!
Unë “deputeti” pa mandat, por mandatdhënës përmes votës në çdo palë zgjedhje, jam këtu para Jush në diskutim dhe në vlerësim të vëmendshëm të dokumentit më të rëndësishëm të vitit, i cili ka ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin, mbetjen në vend, apo në rastin më të keq dhe të padëshirueshëm nga askush, kthimin në hapa mbrapa të ekonomisë së vendit.
Theksoj paraprakisht se fokusi i diskutimit tim në lidhje më këtë projekt–buxhet që na paraqitet do të përqëndrohet në Mirditë, aty ku më shumë se kudo ka nevojë për investime dhe ndihmë për zhvillim të qëndrueshëm.
Realiteti ekonomik
Mirdita prej dekadash është rropatur pas industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit, industri e cila ka 20 vite që ka stopuar, duke lënë pas vuajtje dhe mjerim, por mbi të gjitha humbje të përditshme jetësh nga silikoza.
Pas kësaj asgjë nuk i është ofruar Mirditës, dhe në të gjithë zonën nuk ka një investim serioz i cili të zbusë sado pak nivelin e papunësisë e për pasojë, nivelin e varfërisë.
Edhe në këtë projekt–buxhet nuk shikohet një dritë jeshile…
Infrastruktura rrugore
A e dini të nderuar qeveritarë se në të gjithë territorin e Mirditës janë asfaltuar vetëm 7–8 km rrugë fshati?
Madje edhe kjo gjatësi është ndarë në dy segmente, njëri prej të cilëve rastësisht lidh fshatin e lindjes së një ish–deputeti.
Pjesa tjetër është në Kodër–Rrëshen dhe as ajo nuk është e përfunduar.
Në shumë fshatra nuk ka as metër rrugë të asfaltuar, rrugët janë jashtë standardeve, dhe situata është e ngjashme në të gjithë zonën, deri te rruga për në Kurbnesh.
Siguria publike
Policia në Mirditë është lënë pa mjete, pa karburant, pa logjistikë. Deri aty sa patrulla policie të tërhiqen me makinë qytetari për mungesë nafte, ndërsa kriminelët bëjnë kërdinë pa frikë.
Shërbimi shëndetësor
Spitali i Rrëshenit ekziston vetëm në emër. Mjekët largohen, mungojnë pajisjet, dhe institucionet e tjera publike janë shkretuar dhe zhdukur.
Kërkesë specifike për Ministrin Olldashi
Mirdita kërkon edhe diçka të thjeshtë: të shkruhet emri MIRDITË në tabelat rrugore.
Një territor ku kalon 70% e rrugës, nuk mund të fshihet nga hartat rrugore në favor të fjalës Morinë.
Mesazhi final
“Të tentosh për të fshirë emrin Mirditë, është mision i pamundur.”
Ju faleminderit.
Komente ne fb

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

